Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar të gjitha anijet që ndodhen në Ngushticën e Hormuzit se nuk duhet të përpiqen ta kalojnë atë pa autorizimin e Teheranit. Sipas deklaratës së tyre, çdo anije që nuk respekton këtë urdhër do të përballet me “masa të ashpra”.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë për tregtinë ndërkombëtare dhe transportin e naftës, është bërë një pikë kritike në negociatat mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Teherani zyrtar e ka kufizuar qarkullimin në këtë korridor detar që nga shpërthimi i luftës më 28 shkurt.
Autoritetet iraniane po shqyrtojnë vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, një praktikë që nuk ekzistonte para luftës. SHBA e kundërshton këtë ide, duke argumentuar se Hormuzi është një rrugë detare ndërkombëtare, megjithëse ujërat e saj kufizohen nga brigjet iraniane dhe ato të Omanit.
Në deklaratën e Gardës Revolucionare thuhet se “e vetmja rrugë e autorizuar për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit është ajo e shpallur nga Republika Islamike e Iranit”. Sipas tyre, çdo kalim pa leje konsiderohet “i papranueshëm dhe i rrezikshëm”.
Ngushtica e Hormuzit është një korridor detar i ngushtë, rreth 30 kilometra i gjatë, që ndan Iranin nga Omani. Aktualisht, Irani lejon kalimin vetëm përmes një korridori të përcaktuar pranë brigjeve të tij.
Ndërkohë, protokolli i marrëveshjes së nënshkruar mes Teheranit dhe Uashingtonit për përfundimin e luftës parashikon që anijet tregtare të mund të kalojnë pa pagesë për një periudhë prej 60 ditësh. Dokumenti thekson gjithashtu se Irani do të ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë e lundrimit në këtë rrugë detare.
Të martën, Irani dhe Omani njoftuan se do të shqyrtojnë shumën e mundshme të tarifave që mund të aplikohen për shërbimet e lidhura me menaxhimin e ngushticës. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni nuk do të pranojë vendosjen e taksave apo tarifave për kalimin në Ngushticën e Hormuzit. /kb
