Turizmi në Lezhë po shënon një rritje të ndjeshme këtë sezon, me rreth 15% më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përveç turistëve vendas dhe shqiptarëve nga Kosova, këtë vit është vënë re një prani më e madhe e turistëve të huaj nga vende të ndryshme të Europës.
Bregdeti i Shëngjinit vijon të jetë një nga pikat më të frekuentuara të zonës, duke tërhequr mijëra pushues. Sipas të dhënave të mbledhura nga bizneset turistike, turistët e huaj përbëjnë rreth 20% të numrit total të vizitorëve dhe vijnë kryesisht nga Gjermania, Polonia, Italia, Çekia, Austria, Zvicra, Rumania, Ukraina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Suedia.
Grupin më të madh të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Gjermania, të cilët zënë rreth 20% të turistëve ndërkombëtarë që kanë zgjedhur Shëngjinin dhe zonën e Lezhës. Pas tyre renditen turistët polakë me rreth 15%, ndërsa Italia dhe Çekia kontribuojnë secila me rreth 10%.
Pjesa tjetër e vizitorëve vjen nga vende të ndryshme europiane, duke dëshmuar një zgjerim të hartës turistike të Lezhës dhe një interes në rritje për destinacionet shqiptare të Adriatikut.
Rritja e numrit të turistëve shihet si një tregues pozitiv për zhvillimin e sektorit të turizmit në zonë, duke sjellë më shumë aktivitet për hotelet, restorantet, shërbimet turistike dhe ekonominë lokale.
Lezha dhe Shëngjini po konsolidohen gjithnjë e më shumë si destinacione të preferuara jo vetëm për pushuesit shqiptarë, por edhe për turistët europianë që kërkojnë det, natyrë dhe mikpritje shqiptare./ad
