Një nga zbulimet më të çmuara të trashëgimisë së lashtë etruske është tashmë pjesë e përhershme e Muzeut Kombëtar Etrusk “Villa Giulia” në Romë. Autoritetet italiane prezantuan Varrin e François, pas blerjes së tij nga shteti italian për 15 milionë euro.
Varri u zbulua në vitin 1857 nga arkeologu Alessandro François në nekropolin e Vulçit, një prej qytet-shteteve më të rëndësishme të qytetërimit etrusk. I gdhendur në shkëmb vullkanik, monumenti ruan 37 panele të pikturuara, të konsideruara ndër veprat më të rëndësishme të artit antik.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar Etrusk “Villa Giulia”, Luana Toniolo, tha se pikturat tregojnë historinë e familjeve fisnike, heronjve, perëndive dhe luftëtarëve etruskë, ndërsa paraqesin edhe skena të mitologjisë greke të përshkruara nga Homeri, të interpretuara sipas traditës etruske.
Ndër skenat më të njohura është ajo që paraqet flijimin e robërve trojanë pranë varrit të Patroklit. Monumenti përfshin gjithashtu edhe frizin më të gjatë të njohur me figura kafshësh që ka mbijetuar nga lashtësia.
Sipas autoriteteve italiane, blerja e Varrit të François përbën një nga investimet më të rëndësishme të viteve të fundit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe garanton ekspozimin e tij të përhershëm për publikun.
Deri më 31 dhjetor, vizitorët do të kenë mundësi të shohin edhe një ekspozitë të posaçme që rikrijon kontekstin origjinal të varrit. Në të ekspozohen objekte arkeologjike të huazuara nga muze të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Muzeu i Luvrit, Muzetë e Vatikanit dhe Muzeu Britanik.
Drejtoresha Toniolo e cilësoi projektin si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se institucionet muzeale nga vende të ndryshme mbështetën menjëherë nismën për ta bërë këtë kryevepër të aksesueshme për publikun./mxh
