Last Updated on 01/07/2026 by Kesjana
Një studim i ri ka zbuluar një aleancë të jashtëzakonshme në natyrë: kur fasulet sulmohen nga dëmtuesit, ato lëshojnë një sinjal kimik që tërheq grerëzat, të cilat eliminojnë insektet që dëmtojnë bimët. Nëse keni kultivuar ndonjëherë fasule, mund t’ju ketë ndodhur të zgjoheni një mëngjes dhe të shihni bimët të mbushura papritur me grerëza. Edhe pse kjo mund të duket shqetësuese, shkencëtarët thonë se prania e tyre është në fakt një lajm i mirë. Një studim i publikuar në revistën Science Advances tregon se, kur fasulet sulmohen nga parazitët, ato aktivizojnë një mekanizëm mbrojtës duke lëshuar në ajër substanca kimike që tërheqin grerëzat. Për këto insekte, bimët e sulmuara janë një burim i pasur ushqimi, pasi aty gjejnë larvat e dëmtuesve me të cilat ushqehen.
Si funksionon ky mekanizëm?
Studimi u krye gjatë viteve 2023 dhe 2024 në plantacionet e fasuleve në rajonin Oaxaca të Meksikës. Aty, bimët sulmohen shpesh nga Spodoptera frugiperda, një insekt i njohur si “tenja e misrit”, larvat e së cilës shkaktojnë dëme të mëdha jo vetëm te misri, por edhe te fasulet, pambuku, duhani, orizi, mollët dhe portokallet. Studiuesit nga Universiteti i Uashingtonit zbuluan se mbrojtja e fasuleve lidhet me një peptid të quajtur inceptinë. Kjo substancë gjendet në pështymën e larvave të tenjës. Kur ato kafshojnë gjethet e fasules, receptorë të specializuar në bimë e dallojnë praninë e inceptinës dhe aktivizojnë një seri reagimesh mbrojtëse për të riparuar dëmtimin. Por ky proces ka edhe një efekt tjetër të rëndësishëm: bima lëshon në ajër një përzierje substancash aromatike të paqëndrueshme, të cilat tërheqin grerëzat. Pasi mbërrijnë, ato gjejnë larvat e dëmtuesve dhe i konsumojnë, duke mbrojtur kështu bimën. Shkencëtarët theksojnë se nuk bëhet fjalë për një “thirrje të vetëdijshme për ndihmë” nga ana e fasuleve. Më shumë gjasa, ky mekanizëm është zhvilluar gjatë evolucionit. Bimët që lëshonin më shumë sinjale kimike tërhiqnin më shumë grerëza dhe, si rrjedhojë, mbroheshin më mirë nga dëmtuesit. Nga ana tjetër, grerëzat mësuan se kjo aromë nënkuptonte praninë e ushqimit. Me kalimin e kohës, përzgjedhja natyrore favorizoi këtë bashkëpunim, duke bërë që mekanizmi të përhapet te fasulet. Për ta vërtetuar këtë, studiuesit çaktivizuan receptorin e inceptinës në disa bimë fasulesh dhe i ekspozuan ndaj parazitëve. Rezultati ishte i qartë: grerëzat pothuajse i injoruan këto bimë dhe u drejtuan te fasulet me mekanizmin normal mbrojtës. Sipas autorëve të studimit, zbulimi mund të hapë rrugën për zhvillimin e metodave më ekologjike të mbrojtjes së kulturave bujqësore, duke shfrytëzuar aromat natyrore të bimëve për të tërhequr grabitqarët e dëmtuesve, në vend të përdorimit të pesticideve./kb
