Last Updated on 01/07/2026 by EL
Një rrotull i lashtë papirusi, që i mbijetoi shpërthimit shkatërrues të malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit, është deshifruar për herë të parë pa u hapur fizikisht, falë përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar të skanimit.
Shkencëtarët përdorën skanime me rreze X me rezolucion të lartë dhe algoritme të inteligjencës artificiale për të rindërtuar virtualisht rrotullën dhe për të identifikuar gjurmët e bojës së lashtë, pa e dëmtuar dokumentin.
Teksti i zbuluar rezultoi të ishte një traktat filozofik mbi etikën, natyrën njerëzore dhe progresin moral. Studiuesit besojnë se ai i përket traditës stoike, pasi përmend Aristokreonin, nipin dhe dishepullin e filozofit stoik Krisipi, dhe daton në shekullin II para Krishtit.
Ky sukses është rezultat i projektit ndërkombëtar Sfida e Vezuvit, i cili që nga viti 2023 ka nxitur studiues dhe ekspertë të inteligjencës artificiale të zhvillojnë metoda për deshifrimin e dorëshkrimeve të karbonizuara. Më herët, një student 21-vjeçar arriti të identifikonte fjalën e parë nga një rrotull e pahapur, duke fituar një çmim prej 40 mijë dollarësh.
Sipas bashkëthemeluesit të projektit, Brent Seales, për herë të parë pas afro dy mijë vjetësh po bëhet e mundur jo vetëm leximi, por edhe kuptimi i këtyre teksteve të lashta.
Megjithatë, puna është larg përfundimit. Qindra rrotulla të tjera nga biblioteka e Herculaneumit mbeten ende të mbyllura, ndërsa studiuesit shpresojnë se inteligjenca artificiale do të ndihmojë në zbulimin e sekreteve të tyre në vitet e ardhshme./ET
