Last Updated on 02/07/2026 by Anisa
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga fraksionet kryesore të dosjes voluminoze të inceneratorit të Tiranës.
Organi i akuzës ka dorëzuar zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim për 10 persona të pandehur.
Sipas hetimeve të SPAK, dëmi financiar dhe abuzimet e kryera nga ky grup personash kapin vlerën e rreth 30 milionë eurove.
Personat që do të përballen me drejtësinë janë emra të njohur të përfshirë në menaxhimin dhe pronësinë e kompanive koncensionare, si dhe bashkëpunëtorë të tyre:
Mirel Mërtiri
Klodian Zoto
Dashamir Ymeraj
Arjola Kodra
Denisa Tollkuçi
Elton Bualli
Endrit Habilaj
Renato Nallbani
Giuseppe Ciaffaglione
Marc Richard Lappat
Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash të rënda ndaj të pandehurve, duke i konsideruar veprimet e tyre si një aktivitet të mirëorganizuar kriminal. Akuzat zyrtare përfshijnë:
“Mashtrimi me pasoja të rënda” (e kryer në bashkëpunim)
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
“Grupi i strukturuar kriminal”
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”
Që prej qershorit të vitit 2024, kur SPAK lëshoi masat e sigurisë ndaj tyre, Policia e Shtetit nuk ka arritur të ekzekutojë asnjë nga urdhër-arrestet, pasi të dyshuarit rezulton se janë larguar jashtë vendit për t’i shpëtuar drejtësisë./ad
