Last Updated on 05/07/2026 by EL
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e së shtunës pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku një grup protestuesish hodhën sende të forta në drejtim të godinës së policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari e cilësoi ngjarjen si pasojë të një klime të nxitur, sipas tij, nga deklarata të papërgjegjshme dhe gjuha e urrejtjes në debatit publik.
“Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga një deklaratë e papërgjegjshme, vijon me nxitje në rrjetet sociale dhe përfundon me akte dhune që nuk kanë vend në Shqipërinë europiane”, shkroi ministri.
Ai akuzoi gjithashtu ata që, sipas tij, kanë ushqyer tensionet përmes komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale, duke shtuar se dhuna nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
“Jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës kombëtare dhe asgjë nuk na ndal”, përfundon Lamallari./ET
