Last Updated on 06/07/2026 by EL
Vjedhja e 80 ampulave me fentanil nga farmacia e Spitalit Israelit në Romë ka ngritur alarmin në Itali dhe ka shtyrë autoritetet të zhvillojnë një mbledhje emergjente. Sipas vlerësimeve, sasia e vjedhur e këtij opioidi sintetik mund të përdoret për prodhimin e rreth 20 mijë dozave të destinuara për tregun e paligjshëm, duke rritur frikën se substanca mund të përfundojë në rrjetet kriminale dhe në “dark web”.
Fentanili është një opioid sintetik 80 deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina. Edhe pse njihet si një nga drogat më vdekjeprurëse në botë, në mjekësi ai ka një rol të pazëvendësueshëm në trajtimin e dhimbjeve shumë të forta. Prej dekadash përdoret në anestezi, në repartet e terapisë intensive, pas ndërhyrjeve kirurgjikale dhe për pacientët me sëmundje onkologjike ose patologji të tjera që shoqërohen me dhimbje kronike të forta.
Kur administrohet nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore, fentanili është një ilaç i sigurt dhe shumë efektiv. Problemi lind kur substanca del jashtë sistemit shëndetësor dhe hyn në tregun e paligjshëm.
Fentanili vepron drejtpërdrejt në sistemin nervor qendror. Ai lidhet me receptorët opioidë në tru, duke bllokuar perceptimin e dhimbjes dhe duke krijuar ndjesi qetësie e euforie. Por në të njëjtën kohë ndikon edhe në qendrat që kontrollojnë frymëmarrjen, çka e bën jashtëzakonisht të rrezikshëm në doza të pakontrolluara. Përdorimi i përsëritur krijon varësi shumë shpejt. Organizmi zhvillon tolerancë ndaj substancës, duke kërkuar doza gjithnjë e më të larta për të arritur të njëjtin efekt. Ndërprerja e menjëhershme shkakton simptoma të forta abstinence, si dhimbje muskujsh e kockash, të vjella, diarre, të dridhura dhe shqetësime të rënda fizike, që e shtyjnë përdoruesin të rikthehet te droga. Në tregun e paligjshëm, fentanili prodhohet në laboratorë klandestinë ose sigurohet përmes vjedhjeve nga strukturat shëndetësore. Shpesh ai përzihet me heroinë, kokainë ose metamfetaminë, pa dijeninë e konsumatorëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun e mbidozës. Substanca nuk ka erë dhe as shije, ndaj është pothuajse e pamundur të dallohet pa analiza specifike. Ekspertët paralajmërojnë se vetëm 2 miligramë fentanil, një sasi sa disa kokrra rëre, mund të jenë të mjaftueshme për të shkaktuar vdekjen. Mbidoza shkakton depresion respirator, duke ngadalësuar frymëmarrjen deri në ndalimin e saj. Për këtë arsye fentanili është pagëzuar shpesh nga mediat si “droga e zombive”. Personat që kanë pësuar mbidozë shfaqin përgjumje ekstreme, frymëmarrje shumë të ngadaltë, buzë dhe thonj me ngjyrë blu, lëkurë të ftohtë, bebëza shumë të ngushta dhe humbje të vetëdijes.
Antidoti ndaj mbidozës është naloksoni, një medikament që bllokon efektet e opioideve dhe mund të shpëtojë jetën nëse administrohet në kohë. Megjithatë, për shkak të fuqisë së madhe të fentanilit, në shumë raste nevojiten disa doza naloksoni për të rikthyer frymëmarrjen normale.
Kriza e fentanilit ka goditur veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të autoriteteve amerikane, më shumë se 70% e vdekjeve nga mbidoza me opioide lidhen me këtë substancë, ndërsa që nga vitet ’90 qindra mijëra persona kanë humbur jetën si pasojë e mbidozave. Në Itali, përdorimi i paligjshëm mbetet shumë më i kufizuar krahasuar me SHBA-në dhe Kanadanë, por vjedhja e fundit në Romë ka rikthyer shqetësimin se edhe Europa mund të përballet me një rritje të trafikut të këtij opioidi vdekjeprurës.
Ndërkohë, shkencëtarët po punojnë për një zgjidhje afatgjatë. Një ekip kërkimor në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar një vaksinë eksperimentale kundër fentanilit, e cila në testet e para te kafshët ka nxitur prodhimin e antitrupave që bllokojnë substancën përpara se ajo të arrijë në tru. Edhe pse rezultatet janë premtuese, studiuesit theksojnë se do të duhen ende vite kërkimesh për të provuar sigurinë dhe efektivitetin e saj te njerëzit./FC
