Last Updated on 07/07/2026 by Anisa
Planet për ndërtimin e resorteve luksoze në zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri dhe protestat e qytetarëve kanë sjellë një reagim të ashpër nga kupola politike e Parlamentit Evropian. Në një prononcim ekskluziv për gazetaren e Gazeta Fjala, Monada Mehmetaj, Presidentja e grupimit politik të Të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Europiane, eurodeputetja Terry Reintke, ka lëshuar mesazhe të prera për qeverinë shqiptare dhe ka kritikuar hapur qëndrimin e deritanishëm të Komisionit Evropian.
Gjatë një konference për shtyp mbi situatën politike në vendin tonë, Reintke vlerësoi rezistencën e qytetarëve shqiptarë në rrugë, ndërsa theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i kushtëzuar drejtpërdrejt nga zbatimi i rreptë i legjislacionit për mbrojtjen e natyrës dhe shtetit të së drejtës. Më poshtë vijon përgjigjja e plotë e eurodeputetes:
Eurodeputetja Terry Reintke për
Gazeta Fjala: “…për oligarkët dhe miliarderët e huaj. Prandaj, ky është një mesazh mjaft i fuqishëm nga qytetarët, të cilët po rifitojnë jo vetëm mjedisin, por edhe demokracinë e tyre; kjo pasi ka një cenim mjaft të qartë të shtetit të së drejtës (sundimit të ligjit) kur bëhet fjalë për planifikimin e këtij resorti luksoz, i cili parashikohet të ndërtohet brenda kësaj zone të mbrojtur natyrore.
Ky është një tregues i qartë se njerëzit e kanë vlerë mjedisin dhe të drejtat e tyre demokratike; qytetarët shqiptarë që po mbushin rrugët janë dëshmia dhe simboli më i pastër i këtij reagimi.
Sa i përket Komisionit Evropian, në vlerësimin tim, ky institucion po tregohet sërish tejet ngurrues dhe po mban një heshtje të pajustifikueshme ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri. Është krejtësisht e qartë se në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka detyrimin të garantojë zbatimin e Direktivës për Habitatet dhe të standardeve mjedisore. Zonat e mbrojtura natyrore duhet të gëzojnë mbrojtje reale dhe jo thjesht t’u shiten investitorëve me ofertën më të lartë për t’u shndërruar në resorte luksoze.
Nëse analizojmë biodiversitetin e përgjithshëm të Evropës, Mesdheu Lindor përbën një nga thesaret tona kontinentale. Nëse shohim shpendët shtegtarë dhe speciet e panumërta që popullojnë atë zonë, kuptojmë se mbrojtja e tij nuk është jetike vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Evropën dhe mbarë botën.
Prandaj, Komisioni Evropian mban një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë çështje. Sipas mendimit tim, reagimi i tyre ka qenë tejet i ngadaltë, ndaj ne do të vijojmë të ushtrojmë presion të pandërprerë. Siç jeni në dijeni, në seancën e kaluar parlamentare ne tashmë kemi miratuar një qëndrim mjaft të qartë, por grupi ynë politik nuk do të ndalet me aq.
Për t’ju informuar, pesë nga anëtarët tanë udhëtuan drejt Shqipërisë javën e kaluar. Ata iu bashkuan protestave, por njëkohësisht synuan të angazhohen në dialog me qeverinë shqiptare, duke i bërë me dije: ‘Ju duhet ta ndryshoni këtë kurs. Kjo qasje po shkon në drejtimin tërësisht të gabuar dhe duhet të merrni masa menjëherë.’
Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë të bëjmë presion dhe i drejtoj një thirrje të prerë Komisionit Evropian. Ne dëshirojmë pa asnjë dyshim që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, por që kjo të realizohet, duhet të përmbushen kushte strikte. Mes këtyre kushteve, zbatimi i rreptë i legjislacionit për mbrojtjen e natyrës është parësor, dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të bëhet realitet.”
-Përgjigjja që Presidentja e grupimit politik të Të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Europiane, eurodeputetja Terry Reintke, i dha sot gazetares sonë Monada Mehmetaj në konferencën për shtyp lidhur me situatën politike dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri./ad