Presidentja e Namibisë, Netumbo Nandi-Ndaitwah, u takua të premten në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, gjatë vizitës së saj zyrtare shtetërore në Kinë.
Gjatë bisedimeve dypalëshe, Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ngrihen në një nivel të ri, të cilin e përshkroi si “Komuniteti Kinë–Namibi me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.
Përfaqësues dhe ministra nga të dyja qeveritë nënshkruan tetë dokumente bashkëpunimi, përfshirë marrëveshje për mineralet e gjelbra dhe një marrëveshje për partneritet ekonomik.
Presidentja namibiane mbërriti në Kinë më 5 korrik për një vizitë zyrtare shtatëditore, gjatë së cilës pritet të diskutohen çështje të tregtisë, investimeve dhe bashkëpunimit në sektorë strategjikë.
Afrika është një nga rajonet ku Kina ka zgjeruar ndjeshëm marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike, veçanërisht përmes projekteve të infrastrukturës dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore./mxh
