Last Updated on 12/07/2026 by Leonard
Nga Leonard Veizi
– “Kohë të keqe gjete për dasmë, o Safa Ymeri. Atë defekun tim ku e kam?”
Kjo batutë nga filmi “Malet me blerim mbuluar” më erdhi vetvetiu teksa shihja në lajme se kryeministri Edi Rama i bënte ciceronin në zyrën e tij një këngëtari amerikan me nam të keq, që po mirëpritej në Tiranë, duke i treguar ca miniatura pikturash të ngjitura në mure, sikur aty po vendosej fati i kulturës botërore.
Ndërkohë, jashtë atij universi të vetëkënaqësisë, bota – bashkë me një pjesë të mirë të shqiptarëve – ishte ngjitur pas ekranit për të ndjekur nga stadiumi i Majamit një përballje që kishte gjithë shijen e një derbi botëror. E quaj derbi, sepse shtylla e Norvegjisë, Erling Haland, edhe pse përfaqëson vendin e të atit, ka lindur në Lids të Anglisë dhe është produkt i futbollit anglez, pasi është rritur me “Premier League” në gjak. Një duel që e kishte pushtuar opinionin sportiv.
Mirëpo, ndërsa bota po përgatitej të shihte futboll, ne shihnim guidë turistike në një zyrë qeveritare. Sepse pikërisht atëherë, në Tiranë, dikush mendoi se ngjarja e ditës nuk mund të ishte ndeshja që priste bota, por shëtitja ceremoniale e një këngëtari, të cilit shumë stadiume ia kanë mbyllur derën prej kohësh, ndërsa propaganda po përpiqej ta shiste si fenomen epokal, duke i ndërtuar dhe një stadium portativ. Me pak fjalë, ndërsa të tjerët shikonin “dasëm”, ne na ftonin të shkonim për “shkarpa”. Se po afron edhe dimri, jo për gjë.
Lëre pastaj që nga ana tjetër kishim edhe protestën e flamingove.
Hajde ç’vete, hajde.
Në fund të fundit, kjo është edhe filozofia e spektaklit tonë publik: sa herë realiteti prodhon një ngjarje të madhe, dikush kujdeset të prodhojë një zhurmë edhe më të madhe. Edhe nëse duhet të fryjë me pompë biçiklete një tullumbace artistike të rrymës “vari leshtë”, derisa ta bindë veten se po mban në duar qendrën e universit.
Ndërsa Kejni Uest hungërinte në periferi të Tiranës, andej nga Mëzezi a Kashari, mesfushori brilant i Anglisë, Xhud Belingam, shënoi dy herë ndaj Norvegjisë në një ndeshje shumë të komentuar. Ndërkohë, dy sulmuesit e ekipeve, Herri Kejn dhe Erling Haland, çuditërisht nuk ishin protagonistët e mbrëmjes.
Gjithsesi, Anglia kaloi në gjysmëfinalet e këtij Botërori, ku pritet të ndeshet me Argjentinën e Mesit. Dhe thirrjet “It’s coming home” varrosën si me lopatë zhurmën që vinte nga ai vendi në jugperëndim kryeqytetit që ndan Tiranën në: periferi fshatare dhe qendrën urbane.
Epo, kështu e ka futbolli.
Edhe muzika, sigurisht.
