Last Updated on 14/07/2026 by Kesjana
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka reaguar sot pas deklaratës së bërë për Kosovën nga Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç.
Në një intervistë të gjatë, ministrja në qeverinë e Vuçiçit, u shpreh se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson si skandaloz këtë deklaratë, ndërsa shton se qasja është e papranueshme.
Sipas Këlliçit, deklarata u bë në të njëjtën ditë me intervistën e kryeministrin Edi Rama në një kanal serb, teksa shprehet se afërsia e tij me presidentin Aleksandar Vuçiç është e njohur dhe se rrëzimi i Ramës si binjak i një autokrati si Vuçiç është një imeprativ kombëtar.
“SKANDALOZE!!!
Ditën që një ministre e Vuçiç deklaron në një intervistë se po të ishte ajo në vend të Millosheviç, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Edi Rama u shfaq në Euroneës Serbia dhe foli me simpati për presidentin serb!!!
As nuk dënoi deklaratat e zyrtares së lartë, as nuk shprehu indinjatë. Por tha se ideja e Ballkanit të Hapur ishte fantastike.
Edi Rama u asociua me Vuçiç kur tha se kjo ide fantastike u sulmua vetëm sepse ata të dy qëndronin pas saj.
E papranueshme, skandaloze kjo qasje.
E përsëritur tashmë në 13 vite. Në shesh duhet të rrëzojmë sunduesin e Tiranës dhe binjakun e autokratit të Beogradit.
Eshte imperativ kombëtar!”,-shkruan Këlliçi./Kb
