Nga Artan Fuga
Në artikulimin qeveritar mbi protestat u tha se fakti ynë, pra fakti i ardhur dhe i mbajtur shënim nga zyrat, dhe halli qytetar janë dy gjëra të ndryshme.
Kjo është shumë e vërtetë, pikërisht këtu qendron problemi në thelb, por duhet parë kjo gjë në thellësi e vet, sepse nuk është çështje perceptimi, sikur burokratët kanë dije objektive, teknike, pra të vërtetë, kur populli mjeran ka vetëm përjetime të errta subjektive, pak më të larta se ato të qenieve vetëm biologjike.
Carja është shumë e thellë dhe mund të shihet në këto shtresa që tregojnë krizën e shoqërisë shqiptare sot që burokracia ende nuk po do ta shohë.
1. Populli flet shqip dhe burokratët gjithashtu, pra burokracia e të gjitha fushave shqip flet, por ama burokracia dhe populli, flasin dy gjuhë krejt të ndryshme në kuptimin e saj, të pakuptueshme me njëra tjetrën, njëra flet gjuhën e propagandës tjetra të jetës së përditshme në hallet e saj.
2. Faktet dhe shifrat e propagandës janë ndërtuar mbi kritere që të tregojnë rritjen e volumit të gjërave, (sa rrugë, se metra kub dhé ose rërë e hedhur, sa metra kub shkëmb i thërmuar, sa miliona tulla në karabina, etj.) pra madhësinë e gjërave, kurse faktet e popullit, dhe gjuha e tij, rrëfen sasinë dhe llojin e halleve që njeriu i thjeshtë ndesh dhe mban mbi kurrizin e tij të lodhur.
3. Faktet dhe statistikat burokrate nuk paraqesin atë që quhet jeta dhe shkëmbimet “nëndorë”, që nuk ka statistikë që i kap sepse janë nëpër kështjella, avione, bakshishe, larje parash, rryshfete, kurse këto populli i prek me dorë çdo sekondë, sepse i paguan, por nuk ka mundësi t’i kthejë në baza të dhënash.
4. Gjuha e burokracisë flet dhe shënon për investime në letër ose edhe të vërteta në letër, pra për makroshoqërinë, kurse gjuha dhe vëmendja e popullit mat dhe shënon ashtu te llogaritë e buxhetit familjar, çka i pikon qytetarit nga këto pasuri që derdhen rrugëve apo ndërtimeve prej betoni, as rërës që hidhet plazheve, a asfaltit që derdhet rrugëve. Investime materiale pa shpërndarje pasurish nga ato bëjnë që populli paguan, por nuk merr gjë mbrapsht.
5. Prandaj të dy palët janë pozicionuar rradikalisht: Qeverisja tha se gjuha e popullit nuk e kupton gjuhën e faktit burokratik, formal, në letër, kurse protestuesit përsërisin : Nuk na përfaqësoni! Njëra flet gjuhën e pushtetit pa sovranin, tjetra flet gjuhën e popullit pa përfaqësuesin e vet real.
6. Mjafton të shohësh çarjen mes gjuhës së propagandës në mediat pranë pushtetit dhe gjuhës në rrjetet sociale për të kuptuar se gjuha e parë përbuz popullin dhe njerëzit e thjeshtë, mbi këtë paradigmë është ngritur (ata nuk marrin vesh, turmë hesapi) kurse gjuha e dytë nuk honeps fare burokracinë: Ata janë hajdutë! Në thelb janë dy gjuhë që ngrihen mbi përbuzjen reciproke.
Besoj gjendja është e qartë!
Puna është se nuk është populli që duhet t’i shërbejë burokracisë, por burokracia t’i shërbejë popullit.
Dhe me burokraci nuk kam ndër mend thjesht atë nëpunësin e mjerë të ndonjë zyre me mure të rrjepur.
