Nga Leonard Veizi

Globi s’ka fare ndërgjegje. Ai vazhdon të rrotullohet me një kokëfortësi të papërgjegjshme, pikërisht në atë sekondë kur ti e shpall zyrtarisht apokalipsin tënd personal dhe mendon se boshti i universit ka dalë nga vendi.
Ne jemi mjeshtër absolutë të madhështisë së vogël. E vendosim veten në qendër të gjithësisë me të njëjtën lehtësi me të cilën shefi vendos një afat të ri “për dje” dhe pret mrekulli me buxhet zero.
Dështon në një projekt? Fundi i karrierës dhe i çdo shprese njerëzore. Të lë dikush? Fundi i historisë së dashurisë. Të bërtet eprori në korridor sepse fonti i raportit nuk ishte në standardin e duhur? Fundi i dinjitetit, i ekonomisë dhe, për të qenë tërësisht dramatikë, edhe i qytetërimit perëndimor.
Dhe ne kthehemi në shtëpi me ndjesinë se sapo kemi mbijetuar një shembje të pashmangshme tektonike. Drama na ka rënë mbi kokë. E hapim TikTok-un për pak ngushëllim, vetëm për të parë dikë tjetër që po jep shpirt për një hall po aq “ekzistencial”.
Ndërkohë, jashtë dritares… asgjë.
Zero reagim institucional nga hapësira.
Toka vazhdon të rrotullohet rreth Diellit sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Hëna vazhdon të sillet rreth Tokës si një ish i ngjitur që nuk e ka marrë kurrë mesazhin e bllokimit. Stinët ndërrohen me një paturpësi skandaloze, pa na marrë fare leje. Pemët rriten, deti bën valë, ndërsa mëngjesi vjen sërish me aromë kafeje dhe me lajme të reja tronditëse që, në shumicën e rasteve, do t’i kemi harruar brenda tri ditësh.
Universi duket se vuan nga një shkujdesje totale. Ai nuk e ka marrë vesh kurrë se ti nuk e kalove provimin, se të flakën nga puna apo se dikush të tha ftohtë: “Duhet të flasim.”
Ai vazhdon të punojë në turne 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa leje mjekësore, pa sindikata dhe pa u interesuar aspak për dramën tënde të radhës.
Dhe kjo, në fakt, është njëkohësisht fyerja më e madhe dhe ngushëllimi më i madh.
Fyerja: Sepse dhimbja jote është e vërtetë. Plagët nuk janë meme dhe dështimi të djeg në palcë. Askush nuk ka të drejtë të të thotë me cinizëm “qetësohu, s’është gjë”, ndërkohë që bota jote e brendshme është shkrumbuar.
Ngushëllimi: Sepse nuk je qendra e botës. Faleminderit Zotit që nuk je!
Nëse globi do të ndalej çdo herë që ne bëjmë ndonjë marrëzi apo dështojmë në një ambicie, do të ishim ende duke gërvishtur gurët nëpër shpella.
Problemi ynë kronik është se i ngatërrojmë gjithmonë dy gjëra: tragjiken për ne me tragjiken për gjithçka.
Një qortim zyrtar nuk është luftë bërthamore. Një “jo” nga dikush nuk është vdekje klinike. Një projekt i dështuar nuk është fundi i qytetërimit. Është thjesht një projekt i dështuar.
Dhe ndonjëherë një “jo” është vetëm një “jo”, sado fort të na dhembë.
Mbase zgjidhja është kaq banale sa na vjen për të qarë: bëj një hap pas. Shikoje veten nga lart, si një pikë e vogël mbi hartë, që për një çast po dramatizon sikur gjithë planeti është mbledhur posaçërisht për t’i prishur punë.
Sepse bota është shumë më e madhe se halli ynë i radhës.
Dhe kjo nuk e bën hallin më pak të dhimbshëm. Thjesht i jep përmasat e duhura.
Globi do të vazhdojë të lëvizë edhe pa miratimin tënd.
Pyetja e vetme është: a do të vazhdosh të lëvizësh bashkë me të, apo do të mbetesh i shtrirë në mes të rrugës, duke pritur që universi të të kërkojë falje?
