Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka folur në një intervistë për angazhimin e tij politik dhe mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme.
I pyetur nëse, në rastin më të keq, do të jetë një kandidat i pavarur që do ta zhvillojë i vetëm këtë betejë, ndërsa në skenarin më të mirë pjesë e një fronti të bashkuar opozitar, Binaj u përgjigj shkurt: “Po”.
Binaj tha se vendimi lidhet me bindjen se ky është një kontribut që duhet ta japë kushdo që mendon se mund të ndikojë në përmirësimin e shoqërisë.
“Ku hahet më çon që mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet të bëj, jo vetëm unë, por kushdo që ka një kontribut në shoqëri”, u shpreh ai.
Aktori shtoi se angazhimi nuk duhet të mbetet vetëm në hapësirën virtuale, por duhet të shoqërohet me veprim konkret.
“Kushdo që mendon që ‘enough is enough’ (mjaft është mjaft), kushdo që mendon që ky qytet mund të përmirësohet, ashtu si çdo qytet, dhe mund të përmirësohet jo nëpërmjet algoritmit, mund të përmirësohet jo nëpërmjet like-ave, mund të përmirësohet jo nëpërmjet komenteve ‘Bravo shefi, yll shefi, sa i bukur shefi’ e postimeve, por sa do kapim e sa do postojmë”, deklaroi Binaj.
Deklaratat e tij sinjalizojnë gatishmërinë për një angazhim më të drejtpërdrejtë në politikë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të garojë si kandidat i pavarur apo do të jetë pjesë e një bashkimi më të gjerë opozitar./k.m
