Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi paraditen e sotme një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te shpopullimi, ekonomia dhe ndikimi i krimit të organizuar, që i cilësoi si problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria.
Kryedemokrati theksoi se në vend është instaluar një regjim helmues të paparë në historinë e vendit, që sipas tij, përgjatë një dekade ka sjellë shumë dëme në financat shqiptare.
“Ky regjim në Tiranë, ndryshe, nuk është një diktaturë totalitare. Jo, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka burgje, nuk ka skuadra pushkatimi. Por ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga. E cila, për të kuptuar rëndësinë e saj, do t’ju them kaq: në asnjë vend të botës në 10 vite, dy monedhat më të fuqishme të planetit, dollari amerikan dhe euro evropiane, nuk kanë pësuar një rënie dramatike, respektivisht 35 dhe 32%, sa kanë pësuar në Shqipëri.
Kaq janë ç’vlerësuar të gjitha eksportet e vendit, me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje. Nuk po flas për zhvlerësimin e remitencave dhe ndihmave që u çoni njerëzve tuaj në këtë shkallë. Pra kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila është një problem planetar, nuk mund të themi se është vetëm problem shqiptar.
Por në Shqipëri, në ekonomi dhe në financa, ka patur efektin më shkatërrimtar se në çdo vend tjetër. Euro është ç’vlerësuar 17% në Meksikë, dollari është ç’vlerësuar 12% në Meksikë. Unë u ndala në këtë aspekt, për të mos thënë aspektin tjetër, që kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë”,-mësohet të këtë thënë Berisha./KM
