Qeveria e Singaporit ka vendosur të rrisë pagat vjetore të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, përfshirë edhe kryeministrin Lawrence Wong, i cili mbetet lideri politik më i paguar në botë.
Paketa vjetore e Wong do të rritet me 1.4 milionë dollarë singaporianë, ose rreth 1.1 milionë dollarë amerikanë. Kryeministri ka bërë të ditur se këtë rritje page do ta dhurojë për bamirësi gjatë pesë viteve të ardhshme.
Edhe para këtij vendimi, Wong ishte lideri më i paguar në botë. Paga e tij vjetore ishte rreth 1.7 milionë dollarë amerikanë, ndërsa me skemën e re do të arrijë në rreth 2.8 milionë dollarë në vit, një rritje me më shumë se 60%.
Pas tij renditet shefi ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee, me një pagë vjetore prej rreth 719 mijë dollarësh, ndërsa presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, përfiton rreth 606 mijë dollarë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paguhet 400 mijë dollarë në vit, ndërsa kryeministri britanik Andy Burnham përfiton rreth 230 mijë dollarë.
Duke folur të martën, Wong pranoi se pagat e ministrave kanë qenë prej kohësh objekt kritikash, pasi janë shumë më të larta se ato që fitojnë shumica e qytetarëve. Të ardhurat mesatare mujore në Singapor janë 5.775 dollarë singaporianë.
Ai argumentoi se e ka pasur të vështirë të bindë drejtues të suksesshëm biznesi dhe zyrtarë të lartë të shërbimit civil që të lënë karrierën e tyre për të hyrë në politikë.
“Edhe pse nuk mund të konkurrojmë me atë që fitojnë disa prej tyre, nuk duam ta bëjmë pengesën financiare edhe më të madhe”, tha Wong.
Sipas tij, kjo skemë do t’i japë atij dhe kryeministrave të ardhshëm më shumë mundësi për të bindur singaporianët më të aftë që të angazhohen në politikë dhe për të krijuar ekipin më të fortë të mundshëm për vendin.
Aktualisht, paga bazë e ministrave është rreth 1.1 milionë dollarë singaporianë në vit. Me skemën e re ajo do të rritet në rreth 1.2 milionë dollarë singaporianë, por Wong tha se shumica e ministrave pritet të marrin rreth 1.35 milionë dollarë singaporianë deri në fund të mandatit aktual, pasi një pjesë e pagës lidhet me performancën.
Bonuset përcaktohen edhe nga arritja e objektivave të qeverisë për nivelin e papunësisë, rritjen e të ardhurave dhe rritjen ekonomike të vendit.
Pagat e larta të ministrave kanë qenë prej vitesh një nga temat më të debatueshme për Partinë e Veprimit Popullor (PAP), e cila qeveris Singaporin që nga pavarësia e vendit.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2011, PAP shënoi rezultatin e saj më të dobët në disa dekada, pjesërisht për shkak të pakënaqësisë së votuesve me pagat e ministrave dhe politikat e emigracionit. Një vit më vonë, qeveria vendosi t’i ulte pagat e ministrave.
Edhe paraardhësi i Wong, Lee Hsien Loong, kishte premtuar në vitin 2007 se do ta dhuronte për bamirësi rritjen e pagës së tij për disa vite.
Qeveria e Singaporit ka argumentuar prej vitesh se sistemi i pagave të larta ka ndihmuar në mbajtjen e niveleve shumë të ulëta të korrupsionit, pasi ul tundimin për pranimin e ryshfetit. Singapori renditet vazhdimisht ndër vendet me perceptimin më të ulët të korrupsionit në indeksin e Transparency International.
Megjithatë, vendimi i fundit ka nxitur reagime të shumta. Në rrjetet sociale, shumë qytetarë e cilësuan rritjen e pagave si “pa ndjeshmëri”, duke përmendur shqetësimet për pushimet nga puna, vështirësitë e të sapodiplomuarve për të gjetur punë dhe rritjen e kostos së jetesës.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i pushimeve nga puna në Singapor arriti nivelin më të lartë në më shumë se pesë vjet gjatë tremujorit të fundit.
Nga ana tjetër, pati edhe qytetarë që mbështetën vendimin, duke argumentuar se vendi duhet të drejtohet nga “më të mirët ndër më të mirët”./k.m
