Irani ka ekzekutuar Hossein Pedaran, një shtetas iranian i dënuar për spiunazh dhe për dhënien e informacioneve të klasifikuara agjencisë të inteligjencës, Mossad. Ekzekutimi është konfirmuar nga Mizan, media e lidhur me Gjyqësorin iranian, e cila raportoi se dënimi me vdekje u zbatua pasi përfunduan të gjitha procedurat gjyqësore dhe vendimi u miratua nga Gjykata Supreme.
Sipas autoriteteve iraniane, Pedaran dyshohej se kishte bashkëpunuar me Mossad-in dhe i kishte përcjellë informacione të ndjeshme lidhur me objekte ushtarake dhe raketore në Isfahan. Në informacionet që, sipas Gjyqësorit iranian, ai kishte dorëzuar te shërbimi izraelit përfshiheshin të dhëna për aktivitetet raketore, objektet ushtarake, si dhe identitetet dhe të dhënat personale të disa pjesëtarëve të personelit.
Mizan raportoi se Pedaran fillimisht kishte tentuar të kontaktonte me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës amerikane, CIA, me qëllim bashkëpunimin, por nuk kishte marrë përgjigje. Më pas, sipas versionit të autoriteteve iraniane, ai kishte vendosur kontakt me Mossad-in dhe kishte nisur bashkëpunimin me agjencinë izraelite.
Gjyqësori iranian pretendon se Pedaran ishte trajnuar nga një oficer i Mossad-it për mënyrën e dërgimit të raporteve dhe përdorimin e komunikimeve të enkriptuara. Sipas Mizan, ai kishte marrë gjithashtu disa pagesa në euro për informacionet që kishte përcjellë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet iraniane thanë se kishin gjetur një bllok shënimesh që përmbante informacione “shumë konfidenciale” lidhur me çështje raketore. Gjithashtu, sipas tyre, u sekuestruan disa pajisje për ruajtjen e të dhënave të enkriptuara dhe një pajisje e aftë për të fotografuar dhe regjistruar video në mënyrë të fshehtë.
Autoritetet iraniane kanë deklaruar gjithashtu se disa prej objekteve ushtarake për të cilat Pedaran dyshohet se i kishte dhënë informacione Mossad-it u goditën gjatë luftës 12-ditore. Sipas Gjyqësorit iranian, sulmet shkaktuan viktima dhe të plagosur mes punonjësve të këtyre objekteve.
Ekzekutimi i Pedaran është njoftuar nga autoritetet iraniane në një periudhë tensionesh të larta me Izraelin. Gjyqësori iranian ka akuzuar në raste të ndryshme persona për bashkëpunim me shërbimet izraelite të inteligjencës./k.m
