Last Updated on 30/09/2026 by EL
Nga Klevis Bakillari
Mund të shkruash një traktat gjenial mbi ndryshimet klimatike, një analizë gjeopolitike që do të bënte xheloz edhe Henry Kissinger-in, ose një poezi aq prekëse sa të shkrijë edhe zemrën e një përmbaruesi gjyqësor. Por nëse në asnjë rresht nuk ke përmendur, fyer apo fajësuar Edi Ramën, shkrimi yt ka të njëjtin fat me një mesazh të hedhur në shishe në mes të oqeanit: nuk do ta lexojë askush.
Algoritmi shqiptar i vëmendjes funksionon me një lëndë të vetme djegëse.rtali nuk të klikon, kafeneja nuk të dëgjon dhe statusi në Facebook merr vetëm një “like” të mëshirshëm nga halla juaj. Pse? Sepse ke thyer rregullin e artë. Ke tentuar të mendosh jashtë kornizës së Madhërisë së Tij.
Nëse bie shi dhe përmbytet rruga;nëse ka zheg dhe thahet bari; nëse të la e dashura ose t’u dogj qumështi mbi sobë, me siguri ka një strategji okulte të Rilindjes pas kësaj. Të shash Ramën nuk është më thjesht qëndrim politik; është një nevojë biologjike, një sport kombëtar dhe, mbi të gjitha, monedha e vetme që blen vëmendje.
Po guxove të shkruash diçka neutrale – le të themi për rëndësinë e mbjelljes së pemëve ose për bukurinë e natyrës – komenti i parë do të jetë: “Po për vjedhjet e Ramës pse nuk flet?”. Po guxove ta kritikosh me terma të moderuar, të thonë: “Je i shitur, nuk ia thua dot troç”. Ne kemi krijuar një realitet ku bota ndahet në dy pjesë: ata që e shajnë Ramën si profesionistë, dhe ata që e shajnë si amatorë. Çdo gjë tjetër është thjesht zhurmë sfondi.
Prandaj duke mos e sharë atë, ne po rrezikojmë të mbetemi pa asnjë lexues. Por ndoshta, në fund të ditës, kjo zbrazëti pa emrin e tij është e vetmja hapësirë e lirë që na ka mbetur për të menduar vërtet. Ose ndoshta jo… dhe ky shkrim sapo dështoi të merrte klikime.
