Last Updated on 19/10/2026 by Anisa
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u është drejtuar me një letër të hapur punonjësve të Policisë së Shtetit, pas shtatë ditësh përballjeje me situata të vështira, tensione dhe akte dhune gjatë protestave.
Në mesazhin e tij, Hita shpreh mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen për efektivët, duke theksuar se shumë prej tyre janë lënduar gjatë ushtrimit të detyrës.
Ai vë në dukje edhe dimensionin njerëzor të punonjësve të policisë, duke kujtuar se pas çdo uniforme qëndron një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që familjarët e presin me shqetësim në shtëpi.
“Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet”, shkruan Hita në letrën e tij.
Kreu i Policisë së Shtetit u kërkon efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Ai u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe i siguron punonjësit e policisë se nuk do të jenë vetëm në përballimin e sfidave me të cilat po përballen./ad
