Last Updated on 01/11/2026 by Monika
Protestat e të rinjve të gjeneratës Z në Gjermani, të zhvilluara të shtunën kundër rritjes së kostos së jetesës dhe problemeve të tjera sociale, përfunduan në dhunë në disa qytete të vendit. Pas tubimeve kryesisht paqësore gjatë pasdites, situata u përshkallëzua me rënien e mbrëmjes, kur protestuesit u përleshën me policinë dhe grupe personash shkatërruan e plaçkitën dyqane. Ngjarjet kujtuan skenat e dhunës që u regjistruan muajin e kaluar në Francë, ndërsa protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në vende të tjera të Europës.
Situata më e tensionuar u paraqit në Frankfurt, Këln, Hamburg dhe Berlin, ku u thyen vitrinat e dyqaneve, u ngritën barrikada me zjarr në rrugë dhe policia përdori topat e ujit për të shpërndarë turmat.
Në Berlin, një protestë e të rinjve, ku sipas policisë morën pjesë rreth 3,500 persona, nisi në sheshin Rosenthaler Platz dhe vijoi drejt lagjes Prenzlauer Berg. Marshimit iu bashkuan edhe protestues pro-palestinezë dhe grupe antifashiste, ndërsa disa pjesëmarrës brohoritën slogane antikapitaliste, antiizraelite dhe kundër Gjermanisë. Gjatë tubimit u hodhën fishekzjarrë dhe u ndezën flakadanë. Sipas policisë së Berlinit, 27 efektivë pësuan lëndime të lehta dhe afro 60 persona u arrestuan.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi për dhunën grupet e majta dhe personat problematikë me origjinë migrante, duke kërkuar ndëshkime të ashpra për ata që rezultojnë të përfshirë në trazira.
Hamburg
Edhe Hamburgu, në veri të Gjermanisë, u përfshi nga përplasjet gjatë mbrëmjes së së shtunës. Protestuesit ngritën barrikada të përfshira nga flakët dhe sulmuan policinë me gurë, shishe dhe fishekzjarrë.
Një zëdhënës i policisë së Hamburgut deklaroi se persona që synonin të provokonin dhe të kryenin veprime të paligjshme ishin përzier mes demonstruesve paqësorë. Ai theksoi se policia do të hetojë me rigorozitet të gjitha shkeljet e konstatuara dhe do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme hetimore. Gjatë mbrëmjes, rreth 120 persona u shoqëruan përkohësisht në polici, ndërsa në terren u angazhuan rreth 1,300 efektivë. Shifrat përfundimtare për arrestimet dhe efektivët e plagosur nuk janë publikuar ende.
Frankfurt
Përplasje të rënda dhe plaçkitje u regjistruan edhe në Frankfurt, ku zona tregtare Zeil ishte ndër më të prekurat. Persona të përfshirë në trazira thyen vitrinat e dyqaneve në përpjekje për të hyrë brenda tyre. Në qytet u sulmua edhe një dyqan armësh, ku policia sekuestroi dy armë dhe arrestoi disa të dyshuar.
Për menaxhimin e situatës u angazhuan më shumë se 1,000 efektivë policie, përfshirë njësi speciale, ndërsa në terren u përdorën autobotë me ujë, automjete të blinduara dhe një helikopter. Sipas policisë, gjatë përleshjeve u hodhën bomba molotov dhe sende të tjera në drejtim të efektivëve. Më shumë se 30 persona u ndaluan përkohësisht.
Situata u qetësua në orët e para të mëngjesit të së dielës, por autoritetet raportuan dëme të konsiderueshme materiale. Në Frankfurt mendohet se rreth 8,000 persona morën pjesë në demonstratë, e cila deri para shpërthimit të dhunës ishte zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore. Organizatorët janë distancuar nga aktet e dhunshme.
Këln
Në Këln, protesta u ndërpre rreth orës 16:00, pasi disa pjesëmarrës mbuluan fytyrat dhe hodhën fishekzjarrë, ndërsa më pas u regjistruan sulme ndaj efektivëve të policisë.
Policia e qytetit bëri të ditur se pas përfundimit të tubimit, shërbimet e emergjencës u sulmuan dhe përballë grupeve që shkaktuan trazira u përdorën topat e ujit. Një efektiv pësoi dëmtime në dorë dhe nuk mundi të vijonte detyrën. Autoritetet kanë nisur gjithashtu disa procedime penale lidhur me incidentet./mxh
