Nga Mentor Kikia
Thirrja “opozita jemi ne”, në protestë, më duket thirrja më pa kuptim. Nuk di kush e ka ideuar si parrullë proteste…
Por çfarë do të thotë “opozita jemi ne”?
Eshtë ndonjë fitore apo privilegj i madh me qenë në opozitë?
Ja unë, psh, kam 34 vjet në opozitë, që në viti 1992. Gërricu me një qeveri e gërricu me tjetërn. Sepse gazetarët në përgjithësi në opozitë janë. Por nuk kam qenë asnjëherë krenar për këtë, thjeshtë kështu e kam menduar dhe ndjerë unë të bëj zanatin tim.
Teorikisht, në opozitë janë të gjithë ata nuk janë dakord me qeverinë. Dhe, në çdo vend të botës, ata janë gjithmonë shumicë sepse është në natyrën e njeriut që të mos jetë dakord me qeverinë. Ndaj dhe qeveritë ndërrohen.
Të thuash se “unë jam opozita”, në kontekstin politik, nënkupton se kur të ikë kjo qeveri, radha e pushtetit të përket ty.
Por kjo punë nuk është me radhë, është me votë. Dhe, që të ketë vlerë vota për të bërë rrotacionin politik, duhet të vendosen apo rivendosen rregullat që garantojnë garë të barabartë e të ndershme.
Ndaj sot nuk është koha për të përcaktuar se kush është opozita, pasi kjo është gjëja më e thjeshtë. Rri tërë jetën në rrugë apo në zyrë duke bërtitur dhe je opozitë.
Sot duhet luftuar për të përcaktuar rregulla të drejta loje. Dhe kjo bëhet duke reformuar sistemin zgjedhor, përmes kalimit të pushtetit tek një qeveri, teknike, tranzitore, kujdestare, t’ia vëmë si të duam emrin, që të çlirojë zgjedhjet nga përdorimi i pushtetit dhe shtetit nga partia që zotëron pushtetin dhe shtetin.
Duke filluar me këta të tanishmit, dhe të tjerët në vazhdim.
