Në një botë ku kufiri mes njerëzve dhe teknologjisë po bëhet gjithnjë e më i paqartë, Fjalori i Cambridge ka zgjedhur t’i japë vëmendje inteligjencës natyrore. Fjala e vitit 2026 është “human”, që në shqip përkthehet “njerëzor”.
Përparimet e jashtëzakonshme në inteligjencën artificiale, veçanërisht pas ChatGPT, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një pyetje të vjetër: çfarë do të thotë të jesh njeri? Me zgjedhjen e saj, Fjalori i Cambridge duket se vendos një vijë ndarëse mes njerëzve dhe teknologjisë. Ai e përkufizon fjalën “human” si të pasurit e cilësive, të metave dhe ndjenjave që karakterizojnë njerëzit, në dallim nga zotat, kafshët apo makinat.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale ka nxitur gjithashtu debate mbi mundësinë që kompjuterët të arrijnë të zhvillojnë vetëdijen. Biologu evolucionist Richard Dawkins është ndër ata që kanë shprehur bindjen se kjo mund të ndodhë. Pas ndërveprimit me një sistem të inteligjencës artificiale, ai tha se kishte mbetur me ndjesinë e fortë se po përballej me diçka njerëzore. Nga ana tjetër, skeptikët argumentojnë se ekziston një dallim thelbësor mes mënyrës se si zhvillohet truri i njeriut dhe mënyrës se si ndërtohen sistemet e inteligjencës artificiale.
Sipas Fjalorit, kuptimi dhe përdorimi i fjalës “human” janë bërë edhe më të rëndësishëm në epokën e chatbot-ëve. Colin McIntosh, redaktor i fjalorit, shpjegon se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si flasim për të qenit njeri. Për këtë arsye, fjala po përdoret gjithnjë e më shumë për të dalluar krijimtarinë dhe punën njerëzore nga ajo e sistemeve të avancuara kompjuterike.
“Frika se çfarë mund të humbasin njerëzit kur ia delegojnë mendimin teknologjisë na ka bërë të rishqyrtojmë se sa shumë mbështetemi te inteligjenca artificiale, nga matematikanët më të mirë deri te mësuesit e fëmijëve të vegjël”, u shpreh ai.
Sipas McIntosh, shtimi i shprehjeve si “human-made”, që nënkupton diçka të krijuar nga njeriu, tregon se kjo fjalë po fiton një rol të ri: të veçojë atë që vjen nga aftësitë njerëzore prej asaj që prodhohet nga inteligjenca artificiale.
Edhe Rachel Adams, profesoreshë dhe eksperte e qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe të drejtave të njeriut, thekson se zhvillimi i kësaj teknologjie na kthen te pyetje që njerëzimi i ka bërë prej mijëra vitesh: Kush jemi ne dhe çfarë do të thotë të jesh njeri? Sipas saj, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk kanë qenë kurrë të pandryshueshme, por vetë fakti që vazhdojmë t’i bëjmë ato është diçka që na bashkon.
Në listën e ngushtë të kandidatëve për fjalën e vitit ishin edhe disa terma të lidhur me teknologjinë. Mes tyre ishte “agent”, që përdoret për të përshkruar një sistem të inteligjencës artificiale që mund të kryejë veprime pa kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, si dhe “analogues”, që lidhet me aktivitetet jashtë botës digjitale. Një tjetër kandidate ishte “wholesome”, fjalë që përshkruan diçka që mund të ndikojë pozitivisht në jetën e një personi, fizikisht, moralisht ose emocionalisht.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Fjalori Collins shpalli “mogging” fjalën e vitit. Termi përdoret për të përshkruar situatën kur dikush ia kalon një personi tjetër ose e lë atë në hije./k.m
