Analisti Preç Zogaj ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet çështja e ripërtëritjes brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë nuk mund të nisë vetëm nga përfshirja e figurave të reja, por duhet të fillojë nga drejtimi i partisë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Zogaj solli në vëmendje garën për kreun e Forumit Rinor të PD-së, rreth 10 vite më parë, duke e cilësuar si të vetmen garë të mirëfilltë që ka prodhuar kjo forcë politike.
Në atë garë konkurruan Belind Këlliçi, Ervin Salianji dhe Ori Nebiaj, ndërsa fitues doli Këlliçi, i cili sipas Zogajt arriti të spikaste përmes një gare reale.
Analisti argumentoi se ripërtëritja nuk mund të kufizohet te afrimi i të rinjve në strukturat e partisë, nëse mënyra e drejtimit dhe modeli i karrierës politike mbeten të pandryshuara.
Sipas tij, kur të rinjtë shohin se karriera ndërtohet përmes konformizmit dhe jo konkurrencës së lirë, ata përfundojnë duke kopjuar modelet e vjetra, duke e kthyer kështu të ashtuquajturën ripërtëritje në një proces thjesht dekorativ.
Pjesë nga deklarata:
“Gara më e bukur që është bërë në PD është gara për Forumin Rinor të PD-së. Kanë qenë Belindi, Salianji dhe Ori Nebiaj, të cilët bënë një garë të vërtetë. Nuk kam parë asnjëherë garë të vërtetë. Belindi fitoi atëherë dhe spikati.
Çfarë dimë ne për Hungarinë? Ka Peter Magyar, ka shumë njerëz atje, por është ai që i formëson. Ripërtëritja fillon nga kreu dhe pastaj vijon më tej.
Nëse ripërtëritja nuk fillon nga tërësia e partisë, por reduktohet vetëm në futjen e të rinjve në parti, atëherë kjo kthehet në një lloj dekori. Shumë të rinj aty, duke parë se si bëhet karrierë, mundohen të kopjojnë paraardhësit. Ata mendojnë se mënyra më e mirë është konformizmi”, tha Zogaj./ad
