Edhe pas dënimit me burg, Russell Brand ka gjetur një mënyrë për të qëndruar në qendër të vëmendjes. Komediani britanik ka lançuar një koleksion veshjesh me mesazhin “Free Russell” (Lironi Russell), përmes të cilit kërkon mbështetjen e publikut, ndërsa ndodhet pas hekurave.
Bluza dhe kapele me këtë slogan janë publikuar në faqen zyrtare të kompanisë së tij të mirëqenies, Reborn. Çdo produkt shitet për 34.99 dollarë, ndërsa koleksioni përmban dy modele bluzash dhe një kapelë.
Në njërin prej produkteve shfaqet fotografia e Brand, e shoqëruar me thirrjen për lirimin e tij, ndërsa modelet e tjera mbajnë mbishkrimin “Free Russell Brand”.
Sipas prezantimit të kompanisë, kjo nismë është pjesë e një fushate për mbledhjen e fondeve. Në përshkrimin e saj, Brand portretizohet si një person që është “heshtur për shkak se foli kundër padrejtësisë dhe korrupsionit”. Megjithatë, mbetet e paqartë se ku do të përfundojnë paratë e përfituara nga shitjet.
Kjo lëvizje vjen pas një vendimi të rëndë gjyqësor ndaj 51-vjeçarit. Një juri në Londër e shpalli atë fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulme seksuale ndaj katër grave, për ngjarje të ndodhura gjatë periudhës 2004-2009. Për këto vepra, ai u dënua me 10 vite e gjashtë muaj burg.
Pavarësisht vendimit, Brand vazhdon të deklarojë se është i pafajshëm dhe po shqyrton mundësitë ligjore për të apeluar. Ndërkohë, më 15 nëntor, bashkëshortja e tij, Laura Brand, përcolli një mesazh të dërguar prej tij gjatë një transmetimi në YouTube, ku ai falënderoi personat që vazhdojnë ta mbështesin dhe kërkoi lutjet e tyre për të dhe familjen.
Komunikimi i tij nga burgu ka tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve britanike. Sipas raportimeve, ato po verifikojnë nëse përdorimi i bashkëshortes për të përcjellë publikisht mesazhet e tij përbën shkelje të rregullave të institucionit ku ai mbahet.
Situata e komedianit është bërë edhe më e ndërlikuar pas paraqitjes së pretendimeve të reja nga gjashtë gra të tjera, të cilat e kanë akuzuar për sjellje të pahijshme seksuale.
Ndërsa procesi ligjor vijon, koleksioni “Free Russell” ka hapur një tjetër debat rreth mënyrës se si Brand po përpiqet të mobilizojë mbështetësit e tij edhe gjatë kohës që vuan dënimin./mxh
