Last Updated on 25/11/2026 by Anisa
Nga Klevis Bakillari
Largimi i Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste nuk është thjesht një spostim politik. Është një flakje. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i gjithë kësaj ngjarjeje. Partia ku ajo shërbeu për shumë vite, ku u bë një nga figurat më përfaqësuese dhe më të dukshme, në fund e trajtoi si një element të tepërt. Një episod që zbulon edhe një herë monstruozitetin e kulturës politike ku vazhdon të përpëlitet shoqëria jonë.
Turku iku njëqind vjet më parë, por otomanizmin dhe sulltanatin nuk arritëm t’i nxjerrim kurrë nga vetja. As pas tridhjetë vitesh demokraci. Ndryshuam flamujt, institucionet dhe fjalorin politik, por jo kulturën e ushtrimit të pushtetit. Vazhdojmë të kërkojmë sulltanin, të pranojmë pashallarët dhe të ekzekutojmë këdo që guxon të mendojë se mund të ngjitet më lart se vendi që i është caktuar. Duhet të jemi të sinqertë dhe, njëkohësisht, të pamëshirshëm në gjykimin tonë për Spiropalin. Por duhet të jemi të drejtë: ajo nuk është përgjegjëse për mënyrën makabre se si përfundoi rrugëtimi i saj brenda Partisë Socialiste. Ajo është përgjegjëse për fillimin, jo për fundin. Edhe pse potenciali politik që e karakterizon ia kishte paralajmëruar prej kohësh këtë përplasje. Ndoshta ajo besoi, si shumë prej nesh dikur, në bardhësinë e misionit politik. Në idenë se politika mund të ishte një instrument për të ndryshuar Shqipërinë dhe jo thjesht një mekanizëm për të ruajtur pushtetin.
Spiropali nuk ishte aty pa meritë. Ishte formuar në Perëndim, ishte arsimuar dhe përgatitur pikërisht për të bërë atë punë që iu besua. Prandaj, ta reduktosh sot historinë e saj në servilizëm ndaj pushtetit të Ramës apo në një shfaqje xhelozie për karrierën e saj, do të ishte një gjykim sipërfaqësor. Ajo kishte kapacitetet për të kryer detyrat që mori përsipër dhe, mbi të gjitha, kishte ambicien për të qenë më shumë sesa një figurë dekorative. Në këtë kuptim, historia e saj nuk është vetëm historia e Elisa Spiropalit. Është historia e një brezi të tërë që doli në tregun e punës dhe në jetën publike me ëndrra, formim dhe bindjen se Shqipëria mund të bëhej një vend më i mirë. Një brez që besoi se profesionalizmi, largpamësia dhe bindjet e drejta do të shpërbleheshin. Por që, në vend të vlerësimit, gjeti përjashtimin, injorimin, spostimin dhe, në shumë raste, emigrimin.
Ne nuk u detyruam vetëm të braktisnim pozicionet që kishim merituar. Shumë prej nesh u detyruan të braktisnin edhe atdheun. Sot e duam Shqipërinë nga larg, ndërsa shohim të njëjtat mekanizma që vazhdojnë të prodhojnë të njëjtën padrejtësi. Prandaj, Elisa nuk ka nevojë për mëshirën apo solidaritetin tonë sentimental. Ajo që përfaqëson është shumë më e madhe se kaq. Në historinë e saj pasqyrohet një rini e tërë, e cila u përball me një sistem që fillimisht e josh me mundësinë e ndryshimit dhe më pas e përjashton sapo kupton se ambicia e saj nuk mund të kontrollohet.
Ne kemi zgjedhur të qeverisemi me një model të vjetër osman, ku çdo krahinë ka pashallarët e vet dhe sulltani bën një sy qorr për sa kohë që ruhet paqja e pushtetit. Në këtë model, Elisa ishte një kokë e madhe veziri. Një figurë që nuk mund të lihej peng i pazareve të përditshme politike, i interesave të vogla apo i rivaliteteve personale.
Ajo ishte shumë më tepër se një dekor politik. Por Elisa bëri një gabim fatal në logjikën e sulltanatit: hyri në korsinë e Edi Ramës. Dhe kjo nuk mund të ketë qenë surprizë për kryeministrin. Problemi, me sa duket, ishte shpejtësia me të cilën ajo po përshkonte këtë rrugë. Ambicia e saj politike po fitonte terren më shpejt nga sa mund të toleronte arkitektura e pushtetit. Kështu, sulltani dhe pashallarët e tij vendosën të rrëzonin vezirin. Në një sistem të tillë, nuk të ndëshkojnë domosdoshmërisht sepse ke dështuar. Të ndëshkojnë sepse ke arritur të bëhesh i rëndësishëm. Sepse ke fituar peshë, autoritet dhe potencial për të pretenduar më shumë. Në oborrin e sulltanit, aftësia është e mirëpritur vetëm për aq kohë sa nuk shndërrohet në alternativë ndaj vetë sulltanit.
Elisa i fitoi pothuajse të gjitha betejat e saj politike. Përballoi rivalitetin në bastionet e Partisë Demokratike, zhvilloi duele të forta parlamentare me Berishën dhe u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të përfaqësimit politik të së majtës. Aftësia e saj politike nuk mund të fshihet me një vendim përjashtimi.
Dhe këtu më vjen ndër mend ajo batuta e filmit «Prefekti»: në Paris lulet blihen me para, ndërsa këtu tek ne lulet i hanë gomarët. Shoqëria jonë dhe mënyra si ushtrohet pushteti mbeten ende thellësisht provinciale. Ne nuk dimë të kultivojmë vlerën, por të shkatërrojmë atë që na kërcënon. Nuk dimë të ndërtojmë pasardhës, por vetëm vartës. Nuk dimë të krijojmë alternativa, por vetëm të ruajmë hierarki.
Por a do ta hajë politika e gomarëve edhe këtë lule të hekurt? Mbetet për t’u parë. Përgjigjja, në një farë mënyre, varet nga socialistët idealistë të viteve 2011–2013. Ata që dikur besuan te projekti i ndryshimit, por që sot janë larg Partisë Socialiste, të spostuar, të zhgënjyer apo të flakur prej saj, njësoj si Elisa.
Ndoshta ky është momenti i tyre. Ndoshta është koha të kuptojnë se nuk mund të vazhdojnë të jenë spektatorë të përjashtimit të njëri-tjetrit. Të tregojnë se janë socialistë dhe jo thjesht pasues të një modeli të vjetër komunist, ku bindja ndaj udhëheqësit vlen më shumë se çdo meritë personale. Sepse Elisa ishte një lule dekorative e Partisë Socialiste dhe e qeverisë, por mund të rezultojë edhe një lule e hekurt, e cila lulëzon pikërisht mbi rrënojat e sistemit që e flaku. Dhe ndoshta këtu qëndron paradoksi më i madh: ajo që sot duket si fundi politik i Elisa Spiropalit mund të jetë fillimi i një reflektimi shumë më të madh brenda së majtës shqiptare.
Në fund të fundit, Elisa nuk u përjashtua vetëm nga një parti. Ajo u përball me një kulturë pushteti që nuk toleron askënd që rritet përtej masës së lejuar nga shefi.
Nëse korrupsioni na përjashtoi nga Shqipëria, nuk është çudi që na përjashtoi edhe nga Partia. Ne e dimë mirë se si funksionon ky mekanizëm. Hahaha! Prandaj, socialistë, mblidhni mendjen dhe reflektoni! Elisa ua bëri të dukshme një sindromë që ju keni zgjedhur prej kohësh të mos e shihni. Mos e ngatërroni më besnikërinë ndaj një njeriu me besnikërinë ndaj një ideali. Mos e ngatërroni partinë me pronën private të kryetarit dhe pushtetin me trashëgiminë e një sulltani. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë pashallarë dhe sulltanë. Ka nevojë për njerëz që dinë të ndërtojnë institucione, të respektojnë meritën dhe të pranojnë se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Dhe mos harroni ata që i detyruat të largohen. Ata që sot e duan Shqipërinë nga emigrimi, si një të dashur që ia ka marrë peng një gangster rus, siç u shpreh vetë Sulltani.
Një shoqëri që përjashton vazhdimisht njerëzit e saj më të aftë, nuk ka problem me mungesën e elitave. Ka problem me pushtetin që ka frikë prej tyre.
