Nga Leonard Veizi
Shqiptarët kanë një marrëdhënie të veçantë me nëntorin. Është muaji i flamurit, i pavarësisë dhe i kujtesës historike. Por, me sa duket, vitet e fundit nëntori ka filluar të marrë edhe një kuptim tjetër: atë të çlirimit të radhës. Sepse, përveç nëntorit të parë dhe të dytë, na është premtuar edhe një i tretë, por që nuk po del dot.
Skënderbeu ishte një strateg i zoti. Më 28 nëntor 1443, pas kthimit në Krujë, ngriti flamurin e Kastriotëve mbi kalanë, duke shënuar një kthesë në qëndresën shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ishte nëntori i parë i lirisë. Ai nuk kishte luksin të caktonte datën e çlirimit. Luftonte dhe fitonte aty ku mundej.
Edhe Ismail Qemali, disa shekuj më vonë, e ndjeu se kishte ardhur koha për një tjetër nëntor. Më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke i dhënë vendit një shtet dhe një flamur. Ishte një çlirim politik, i paguar me përpjekje, sakrifica dhe një histori të gjatë nën sundimin osman.
Pastaj historia vazhdoi, por datat dhe nëntorët filluan të ngatërrohen me njëri-tjetrin.
Në fillim të viteve ’90, në skenë doli Sali Berisha, i cili mendoi se Shqipërisë i duhej edhe një nëntor i tretë. Këtë herë jo për t’u çliruar nga një perandori, por për të rregulluar kalendarin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Fillimisht, në vitin 1992, si President i Republikës, ai shpalli 28 nëntorin si Ditën e Çlirimit. Një vit më vonë, Parlamenti e miratoi me ligj këtë datë. Kështu, 29 nëntori u zhvendos në 28 nëntor. Një ndërhyrje që nuk ndryshoi historinë, por tentoi të ndryshonte mënyrën se si ajo kujtohej.
Pra, erdhi edhe Nëntori i Tretë!
— Urrraaaaa!
Por ndodhi që më pas erdhi sërish e majta në pushtet dhe kalendari u kthye aty ku kishte qenë. Në vitin 1997, Parlamenti riktheu 29 nëntorin si Ditën e Çlirimit. Njëra palë këmbëngulte për 28, tjetra për 29. Për një kohë, Shqipëria dukej sikur kishte dy data çlirimi, sipas bindjeve politike të atyre që mbanin pushtetin.
Kur Berisha u rikthye në krye të qeverisë, në vitin 2005, nuk e vazhdoi lojën e kukafshehtit me datat. Kështu, vendi ruajti kalendarin zyrtar, me 28 nëntorin e Pavarësisë dhe 29 nëntorin e Çlirimit, ndërsa kujtesa historike vazhdoi të mbante edhe nëntorin e Skënderbeut.
Ra Nëntori i Tretë. Mbetën vetëm dy të parët.
Por ja që në vitin 2026 u shfaq përsëri ideja e nëntorit të tretë. Këtë herë premtimi ishte më i madh, më ambicioz dhe me një objektiv të qartë: Shqipëria do të çlirohej nga autokracia e Edi Ramës.
Lëvizja e njohur si Revolucioni i Flamingove nisi në maj, me protestat kundër projekteve turistike në zonën e Nartës dhe Zvërnecit. Më 16 maj u zhvillua protesta e parë publike në Akërni. Më pas, lëvizja mori përmasa të tjera dhe protesta u shndërrua gradualisht në një aksion me kërkesa politike më të gjera.
Thirrjet për ndryshim, paralajmërimet për fundin e pushtetit dhe retorika e fitores së afërt krijuan përshtypjen se çlirimi ishte çështje kohe. U fol për një nëntor që do të shënonte kthesën. Madje, 28 nëntori 2026 u paraqit si dita kur fitorja do të merrte formën e saj përfundimtare, në zemër të Tiranës.
Por nëntori i tretë nuk erdhi.
Madje, nëse rrethanat do ta kishin lejuar, mund të kishim folur edhe për një të katërt. Por edhe ai mbeti në sirtarin e premtimeve. Në terren, protestuesit dhe policia u përballën me njëri-tjetrin. Njëra palë përdori gurë dhe mjete të tjera rrethanore, ndërsa tjetra u përgjigj me ujë dhe plumba plastikë. Përplasjet ishin aty, zhurma ishte aty, por fitorja nuk u duk. Ndoshta sepse në krye nuk ishte asnjë që t’i ngjante Skënderbeut dhe as ndonjë tjetër që të përngjasonte me Ismail Qemalin.
Pas më shumë se gjashtë muajsh nga nisja e protestave, pas fjalimeve të mëdha dhe pritshmërive të ngritura deri në qiell, qeveria nuk u rrëzua dhe objektivi i shpallur nuk u realizua.
Dhe këtu qëndron problemi i një lëvizjeje që e ngatërron dëshirën me mundësinë, retorikën me strategjinë dhe protestën me fitoren.
Kur nuk je i sigurt për fitoren, ndoshta është më mirë të mos e shpallësh atë paraprakisht. Gjashtë muaj protesta janë një kohë e gjatë për të mbajtur ndezur pritshmëritë e njerëzve. Nëse në fund nuk prodhojnë rezultatin politik të premtuar, zhgënjimi nuk mbetet vetëm te organizatorët. Ai bie edhe mbi qytetarët që kanë besuar.
Dhe ky është dëmi më i madh: jo se nuk u realizua një premtim, por se një tjetër pjesë e besimit publik mund të jetë konsumuar.
Nëntori i Skënderbeut i përket historisë. Nëntori i Ismail Qemalit po ashtu. Nëntori i Çlirimit është pjesë e kujtesës kombëtare. Ndërsa nëntori i tretë, ai që duhej të sillte çlirimin politik nga Edi Rama, mbeti edhe këtë herë një premtim i parealizuar.
Kështu që nuk na mbetet shumë për të bërë. Të presim kur të shfaqet nëntori i radhës, i katërt a i pestë qoftë ai. Ndoshta dikush do të ketë sërish guximin ta shpallë.
