Last Updated on 23/03/2026 by Kesjana
Analiza e baktereve të zorrëve tek qentë po rezulton një model shumë i vlefshëm për mjekësinë njerëzore: ajo hap rrugë të reja për diagnostikim të hershëm dhe terapi të personalizuara kundër tumoreve.
Po sikur sekreti për parandalimin e kancerit të fshihej pikërisht në zorrët e qenve tanë? Kjo nuk është më një ide e largët, por një mundësi konkrete që del nga një studim i realizuar nga Oregon College of Veterinary Medicine.
Studimi, i publikuar në Veterinary Oncology, tregon lidhjen e ngushtë mes baktereve të zorrëve tek qentë dhe aftësisë së sistemit imunitar për t’iu përgjigjur tumoreve.
Bakteret dhe tumoret
Kanceri është po aq i përhapur (dhe vdekjeprurës) tek qentë sa edhe tek njerëzit. Çdo vit, vetëm në SHBA, rreth 6 milionë qen diagnostikohen me tumor, i cili është gjithashtu shkaku kryesor i vdekjes tek kafshët shtëpiake.
Prej kohësh dihet se, si tek qentë ashtu edhe tek njerëzit, mikrobiota intestinale, pra bashkësia e baktereve, kërpudhave dhe mikroorganizmave të tjerë që jetojnë në traktin tretës lidhet drejtpërdrejt me reagimin e sistemit imunitar ndaj zhvillimit të kancerit.
Pse vaksina funksionon më mirë tek disa qen?
Ekipi i studiuesve analizoi 51 qen të trajtuar në një qendër veterinare, të cilëve iu administrua një vaksinë imunoterapeutike kundër kancerit, ende në fazë testimi klinik.
Kjo vaksinë “bashkëpunon” me sistemin imunitar për të luftuar tumorin, duke frenuar prodhimin e dy proteinave specifike (EGFR dhe HER2), të cilat prodhohen në sasi të larta nga disa lloje kanceri.
Rezultatet treguan diçka shumë interesante: të paktën 11 lloje bakteresh ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e vaksinës.
Baktere “të mira” dhe “të këqija”
Katër prej këtyre baktereve lidhen me një efekt më të mirë të trajtimit, duke ndihmuar në zgjatjen e jetës së qenve.
Ndërsa shtatë të tjera lidhen me efekt më të dobët të vaksinës dhe, si pasojë, me një mbijetesë më të shkurtër.
Ky efekt vërehet pavarësisht llojit të kancerit apo racës së qenit.
Kjo sugjeron se mikrobiota luan një rol kyç në modulimin e përgjigjes imunitare ndaj tumorit. Njohja e përbërjes së saj mund të ndihmojë në parashikimin e suksesit të një trajtimi.
Hapi i ardhshëm: “manipulimi” i kancerit?
Ajo që ende mbetet për t’u kuptuar është se si bakteret individuale ndikojnë në sistemin imunitar dhe pse ato rrisin ose ulin efektivitetin e trajtimit.
Nëse kjo zbulohet, studiuesit besojnë se do të jetë e mundur të “manipulohet” kanceri, duke ndihmuar organizmin ta luftojë më mirë atë.
Dhe pjesa më premtuese: kjo qasje mund të mos vlejë vetëm për qentë, por edhe për njerëzit./F.C
