Last Updated on 27/07/2025 by adminfjala
Më shumë se 65 organizata joqeveritare kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Planifikimit Hapësinor, Sllaven Radunoviq, për shkak të deklaratës së tij se Mali i Zi duhet të mendojë nëse ka më shumë dëm apo dobi nga fakti që Kotori është nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Radunoviq më 24 korrik tha se mund të organizohet një referendum për qytetarët e Bokas lidhur me këtë çështje.
Kotori, një qytet mesjetar në Boka Kotorska, gëzon statusin e trashëgimisë botërore që nga viti 1979 për shkak të vlerave kulturore dhe arkitektonike. Idenë për referendum e kanë hedhur poshtë autoritetet e Kotorit.
“Do të bëjmë çfarë duhet. Perla do të mbetet perlë”, tha kreu i Kotorit, Vladimir Jokiq.
Deklarata e Radunoviqit erdhi pas mbledhjes së Komitetit për Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në korrik në Paris, ku u vlerësua se ka pasur përkeqësim serioz të ruajtjes së zonës natyrore dhe historiko-kulturore të këtij qyteti.
U hap gjithashtu mundësia që Kotori të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.
Malit të Zi iu kërkua vendosja e një moratoriumi mbi projektet ndërtimore në zonën e mbrojtur, që përfshin pjesë të komunave Kotor, Tivat, Herceg Novi dhe Cetinje.
“Duhet të mendojmë nëse na sjell më shumë dobi të jemi në UNESCO apo më shumë përfitim nëse mund të ndërtojmë. Këto janë dëme të mëdha”, tha Radunoviq.
Ai shtoi se duhet hapur një debat publik mbi statusin e Kotorit.
“Dhe të shpallet një referendum për qytetarët e Bokas që të shihet çfarë do të bëhet më tej dhe nëse duhet ende të jemi në UNESCO”, shtoi ai. m.p.