Muzikë klasike apo jazz? Jo domosdoshmërisht. Një studim i publikuar në Journal of Intelligence sugjeron se nuk është zhanri apo melodia ajo që tregon diçka për inteligjencën tonë, por tekstet e këngëve që zgjedhim të dëgjojmë.
Nëse do të imagjinonim playlistën e një “intelektuali modern”, shumë prej nesh do të mendonin për muzikë klasike, operë apo jazz. Por kërkimi tregon se lidhja me aftësitë njohëse është më komplekse dhe lidhet më shumë me përmbajtjen e teksteve sesa me ritmin apo stilin muzikor.
Studiuesit analizuan zakonet muzikore të 185 personave për pesë muaj, duke ndjekur këngët që dëgjonin në smartphone. Më pas, pjesëmarrësit kryen teste të shkurtra për të matur aftësitë njohëse, si arsyetimi logjik, fjalori dhe njohuritë matematikore, elemente që së bashku përcaktojnë inteligjencën e përgjithshme.
Rezultatet treguan një lidhje interesante: personat që dëgjonin këngë me tekste më të trishta dhe reflektuese, shpesh të fokusuara në emocione personale, jetën e përditshme dhe sinqeritetin, kishin prirje të merrnin rezultate më të larta në testet e inteligjencës. Në anën tjetër, ata që preferonin tekste me shumë referenca sociale apo me gjuhë të pasigurt (fjalë si “ndoshta”, “mbase”) kishin mesatarisht rezultate më të ulëta.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë të mos nxirren përfundime të nxituara. Kjo është vetëm një lidhje statistikore dhe jo një marrëdhënie shkak-pasojë. Pra, të dëgjosh këngë të trishta nuk të bën automatikisht më inteligjent, ashtu si një playlist e caktuar nuk mund të përcaktojë nivelin e zgjuarsisë së dikujt.
Faktorë të tjerë, si mosha apo përvoja personale, mund të ndikojnë si në shijet muzikore ashtu edhe në rezultatet njohëse. Sipas studiuesve, kuptimi i plotë i kësaj lidhjeje kërkon analizë më të thellë dhe kombinim me të dhëna të tjera nga sjellja jonë digjitale. Në fund, playlista jote mund të tregojë diçka për ty, por jo gjithë historinë.
