Inteligjenca artificiale po transformon me shpejtësi industrinë e krijimit të përmbajtjes digjitale, duke hapur rrugën për profesione të reja dhe shumë të kërkuara në tregun global të punës.
Një nga këto profesione është ai i “prompt engineer”, një rol i ri që lidhet me udhëzimin dhe përzgjedhjen e përmbajtjes së gjeneruar nga AI. Një shembull i këtij zhvillimi është Zhang Yuxuan, e cila, falë aftësive të saj në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndjenjës estetike, arriti të bëhet shumë e kërkuar në treg. Sipas saj, vetëm një ditë pasi dërgoi CV-në, mori mbi 200 ftesa për intervista pune.
Një tjetër profesion në rritje është ai i animatorit me AI. Yu Zhujun, e cila ka vetëm gjashtë muaj eksperiencë në këtë fushë, ka marrë pjesë në më shumë se 10 projekte. Ajo thekson se falë teknologjisë, proceset kreative janë përshpejtuar ndjeshëm: nga një muaj për një dizajn të vetëm, tashmë realizohet një projekt i plotë brenda të njëjtës periudhë.
Rritja e kërkesës për këto profesione ka sjellë edhe zhvillimin e programeve të trajnimit. Në Moganshan AI Film City në provincën Zhejiang të Kinës, kurset për aplikimet e inteligjencës artificiale, animacion dhe prodhim digjital janë të mbushura plot.
Sipas drejtuesve të trajnimit, kompanitë e filmave, lojërave dhe televizionit po kërkojnë në mënyrë urgjente specialistë si zhvillues të personazheve digjitale dhe ekspertë të kontrollit të përmbajtjes së gjeneruar nga AI.
Deri më sot, mbi 7 mijë persona janë trajnuar në këtë qendër, duke kontribuar në zhvillimin e industrisë “AI + kulturë vizuale”, e cila po shënon rritje të vazhdueshme vit pas viti.
Inteligjenca artificiale nuk po zëvendëson vetëm profesionet tradicionale, por po krijon mundësi të reja, duke ndryshuar rrënjësisht të ardhmen e industrive kreative./mxh
