Po kërkon një përvojë të veçantë në Airbnb? Po sikur të flesh brenda një avioni privat që dikur i përkiste një prej figurave më famëkeqe në botë, Pablo Escobar?
Biznesmeni Johnny Palmer ka zhvendosur një Boeing 727 në një zonë industriale private në Bristol, Angli. Vizitorët mund të qëndrojnë brenda avionit, i cili përfshin edhe vaskë me ujë të ngrohtë dhe sauna, me një çmim deri rreth 1,000 dollarë për natë.
Bëhet fjalë për një Boeing 727 të ndërtuar në vitin 1968, i cili u shndërrua në avion privat në fillim të viteve ’80, periudhë kur thuhet se ishte në pronësi të Escobarit, një prej figurave më të njohura të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Sipërmarrësi Johnny Palmer e ka transformuar avionin në një hapësirë turistike të restauruar, duke ruajtur elemente të stilit retro të viteve ’80. Sipas përshkrimeve, avioni dikur kishte detaje luksoze prej ari dhe kristali, në përputhje me stilin e jetës së Escobarit, i cili ndërtoi një perandori me vlerë miliarda dollarë.
Sot, hapësira është përshtatur për qëndrime turistike dhe përfshin dy ambiente ndenjeje, një dhomë gjumi me krevat dopio, tre tualete, një kabinë dushi dhe një kuzhinë të kompletuar, duke akomoduar deri në katër persona.
Në pjesën e jashtme ndodhet një kuvertë me vaskë të nxehtë, sauna dhe dush të hapur. Objekti funksionon me energji të rinovueshme përmes paneleve diellore.
Avioni është vendosur në zonën industriale Skyline Park në Bristol, Mbretëri e Bashkuar, mbi disa kontejnerë transporti.
Megjithatë, vizitorëve u bëhet e ditur se për një përvojë më të qetë rekomandohen fundjavat, pasi gjatë ditëve të javës mund të ketë zhurma për shkak të aktivitetit industrial në zonë.
“Gjithmonë kam dashur të kem një avion privat dhe kjo ishte një mundësi për ta pasur një të tillë,” tha Palmer. Ai të ardhurat nga Airbnb i përdor për të vazhduar restaurimin e avionit dhe për të shtuar elemente të tjera funksionale./ad


