Vihet në funksion të plotë Akseleratori i 3-të Linear në Shërbimin Onkologjik në QSUT, ku është trajtuar me sukses edhe pacienti i parë. Ky investim synon rritjen e kapaciteteve të trajtimit në Njësinë e Radioterapisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët onkologjikë, përmes teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë.
Gjatë një inspektimi në Spitalin Onkologjik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala deklaroi se po vijon puna për modernizimin e shërbimit, përfshirë futjen e Brakiterapisë dhe instalimin e Akseleratorit të 4-të Linear.
Sipas ministres Sala, përmirësimet teknologjike dhe implementimi i moduleve bashkëkohore rrisin ndjeshëm kapacitetet e radioterapisë dhe mundësojnë trajtime më efikase dhe me precizion më të lartë për pacientët.
Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, duke theksuar mbështetjen në pajisje moderne dhe trajnimin e stafit mjekësor dhe fizikantëve.
“Programi për përmirësimin e shërbimit onkologjik po përparon shumë mirë sepse kemi upgrade të dy akseleratorëve aktualë, së shpejti kemi brankiterapinë, si dhe kemi buxhetuar për të sjellë edhe Akseleratorin e 4-të Linear”, u shpreh ministrja Sala.
Gjatë vizitës, ajo inspektoi edhe dhomat e kimioterapisë ditore, ku pacientët marrin shërbim në kushte më të organizuara dhe me orare të përcaktuara, duke përmirësuar menaxhimin e fluksit dhe cilësinë e shërbimit.
Aktualisht, në Njësinë e Radioterapisë trajtohen rreth 140 pacientë në ditë me dy akseleratorët ekzistues, ndërsa me vënien në funksion të akseleratorit të tretë ky numër pritet të rritet në rreth 200 pacientë në ditë.
