Më 17 janar të vitit 1899 u lind Al Capone – Janari ishte muaji i tij: U lind në janar, u lirua nga burgu në janar dhe vdiq po në janar.
Përgatiti: Leonard Veizi
Ai do të mbahet mend për thënien e famshme përpara gjykatësve: “Ju jeni klientët e mi.” Quhej Alfons Gabriel Kapone, por u njoh në mbarë botën si Al Kapone. Pikërisht mbi figurën e tij u ndërtuan më pas personazhet e filmave me gangsterë, gjatë periudhës së ndalimit të alkoolit në Shtetet e Bashkuara, mes viteve 1920–1933. Për këtë arsye, Kapone u konsiderua një nga gangsterët më të famshëm, edhe sepse u përjetësua në dhjetëra filma të Hollivudit…
…U lind në Brooklyn, Nju Jork, nga prindër emigrantë italianë që kishin mbërritur nga rrethinat e Napolit. U përfshi në veprimtari kriminale që në moshë të re. U përjashtua nga shkolla kur ishte vetëm 14 vjeç, pasi kishte rrahur një mësues në klasë. Në moshën 16-vjeçare kishte tashmë mbi supe akuza për rrahje, grabitje dhe vjedhje. Pak më vonë i dha lamtumirën Nju Jorkut për t’u zhvendosur në Çikago.
Në të njëzetat e tij nisi të përfitonte nga kontrabanda e pijeve alkoolike, një aktivitet që e shtyu edhe më thellë në botën e krimit. Pavarësisht kësaj, Kapone u shndërrua në një figurë të dashur për publikun. Dhuratat që ai shpërndante për kisha, shkolla, jetimore dhe organizata bamirëse, duke përdorur para të fituara nga veprimtari të paligjshme, bënë që shumë njerëz ta shihnin me adhurim.
Por “emri i mirë” i tij u cënua rëndë në vitin 1929, me Masakrën e Ditës së Shën Valentinit, kur shtatë anëtarë të një bande rivale u ekzekutuan. Dyshimet ranë mbi Kaponen, edhe pse ai i dënoi publikisht vrasjet. Megjithatë, nuk ishin krimet e dhunshme që e çuan në burg, por refuzimi për të paguar taksat. Kapone shprehej se, meqenëse paratë i kishte fituar në mënyrë të paligjshme, nuk kishte pse të paguante taksa për të ardhura që, sipas tij, nuk ishin të ligjshme. Gjykata, megjithatë, kishte një mendim krejt tjetër.
Fakte
E çuditshme, por e vërtetë: janari ishte muaji i tij. U lind në janar, u lirua nga burgu në janar dhe vdiq po në janar.
Pseudonimi i tij ishte “Scarface” (Fytyrëmbresë), një nofkë që e urrente. E mori pasi u plagos në fytyrë nga vëllai i një vajze që ai kishte ngacmuar.
Aktivitetin kriminal e nisi me kontrabandën e alkoolit, por më pas u përfshi edhe në kumar dhe prostitucion.
Në vitin 1918, Kapone njohu një vajzë të quajtur Meri. Më 4 dhjetor 1918 lindi djali i tyre, Albert “Sonny” Francis. Kapone dhe Meri u martuan më 30 dhjetor të po atij viti.
Al Kapone fitonte rreth 100 mijë dollarë në javë. Një vilë luksoze, një makinë Cadillac e blinduar që peshonte rreth 7 tonë, një shpurë truprojash dhe, mbi të gjitha, kontrolli i tregut të uiskit në gjithë Çikagon, e bënë atë pa diskutim gangsterin më të famshëm dhe më të pasur të kohës.
Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë amerikane, gangsteri më i njohur i viteve ’20 të shekullit XX kishte nën kontroll monopolin e tregtisë së birrës dhe uiskit.
Arrestimet
Kapone u arrestua disa herë dhe në dosjen e tij penale figuron një sërë akuzash: kontrabandë pijesh, mospagim taksash, vrasje dhe porositje vrasjesh. Një tjetër akuzë lidhej me Masakrën e Ditës së Shën Valentinit.
U arrestua për herë të parë në vitin 1926 për vrasjen e tre personave, por kaloi vetëm një natë në qeli për shkak të mungesës së provave.
U fut sërish në burg në maj të vitit 1929, këtë herë për armëmbajtje pa leje, por u lirua pas një kohe të shkurtër.
Në vitin 1930, në kulmin e fuqisë së tij, Kapone u përfshi në listën e 28 kriminelëve më të rrezikshëm të Çikagos dhe u shpall “Armiku Publik Numër Një”. Ndërkohë, autoritetet federale e përfshinë në listën e personave më të kërkuar në SHBA.
Më 3 maj 1932 u riarrestua dhe u dërgua në burgun federal të Atlantës për të vuajtur një dënim prej 10 vitesh, kryesisht për evazion fiskal. Qeveria amerikane e akuzoi se i detyrohej shtetit 215.080,48 dollarë taksa të papaguara.
Juria e shpalli të pafajshëm në 18 nga 23 akuzat, por gjyqtari Wilkerson e dënoi me 10 vjet burg. Për shkak të sjelljes së mirë, Kapone vuajti vetëm rreth 8 vjet. Gjoba e vendosur ishte 37.617 dollarë e 51 cent.
Edhe në burg, Kapone përfitoi privilegje të veçanta. U vendos në një qeli të mobiluar, me qilim, makinë shkrimi dhe Enciklopedinë Britanike, pas së cilës ishte i fiksuar. U lirua më 6 janar 1939.
Pas lirimit, kaloi një periudhë të shkurtër në spital dhe më pas u kthye në rezidencën e tij në Palm Island, ku jetoi i qetë pjesën e mbetur të jetës.
Fundi i një epoke
Kapone ishte diagnostikuar me sifiliz që gjatë qëndrimit në burgun e Alkatrazit. Sëmundja i dëmtoi rëndë sistemin nervor dhe trurin, duke e bërë të paaftë për jetën publike. Një vit para vdekjes hoqi dorë nga çdo aktivitet. Në vitin 1946, mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora konstatuan se Kapone kishte kapacitetin mendor të një fëmije 12-vjeçar.
Më 25 janar 1947, Al Kapone ndërroi jetë nga një infarkt. Ishte vetëm 48 vjeç. Në varrimin e tij morën pjesë rreth 10 mijë persona. Arkivoli prej bronzi kushtoi 2 mijë dollarë, ndërsa mijëra dollarë të tjerë u shpenzuan për lulet.
Ai u varros fillimisht në varrezat Mount Olivet, në jug të Çikagos, pranë varreve të babait dhe vëllait të tij. Në mars të vitit 1950, eshtrat e tyre u zhvendosën në varrezat Mount Carmel. Në epitafin e varrit të tij shkruhet: “Mëshirë, Jezusi im!”
Kuriozitete
Dosja e Al Kapones në arkivat e FBI-së përmban 2.397 faqe, ndërsa agjenti Frank Wilson e ndoqi për vite me radhë, duke hetuar llogaritë e tij bankare.
Përveç famës si gangster, Kapone kishte edhe pasione artistike: ishte adhurues i muzikës xhaz dhe veçanërisht i një grupi të quajtur New Orleans.
Figura e tij vazhdon të rikthehet në kinematografi. Për Al Kaponen janë realizuar disa filma, mes tyre “Masakra e Shën Valentinit” (1967), “Capone” (1975) dhe “Të Paprekshmit” (1987), ku rolin e tij e interpreton Robert De Niro.
