Last Updated on 03/02/2026 by EL
Kryeministri Albin Kurti kujton dëbimin e mijëra shqiptarëve në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, kur shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal “Rojet e urës”, kreu spastrim etnik në zonën veriore të qytetit të Mitrovicës nga banorët shqiptarë vendas.
Nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, atë natë, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm prej shtëpive të tyre për në jug të lumit Ibër. Gjatë këtij aksioni kriminal të drejtuar nga Serbia, u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, qytetarë të Mitrovicës.
“Por do të duhet ende kohë, që drejtësia për këtë rast të vihet në vend plotësisht. Ashtu siç do të duhet kohë, shumë përkujdesje shtetërore dhe solidaritet ndërnjerëzor, që viktimat e këtij spastrimi etnik të rehabilitohen nga dëmet dhe humbjet e pësuara 26 vite më parë dhe nga pasojat prej tyre që nga atëherë e deri më sot”, shkruan kryeministri i Kosovës.
Pavarësisht pranisë së kudondodhur në Kosovë të forcave ushtarake paqeruajtëse dhe administratës ndërkombëtare, gjatë muajit shkurt të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti që t’i dëbonte nga Mitrovica, 1564 familje shqiptare me gjithsej 11364 anëtarë.
Kryeministri Albin Kurti thekson se gjatë dy dekadave pasuese, këta mijëra qytetarë shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica gjatë shkurtit të vitit 2000, jetuan si mundën pa arritur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Vetëm në vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit shtetëror, sundimit të ligjit dhe kontrollit të territorit nga qeveria demokratike e Republikës së Kosovës, në këtë territor të saj, ka filluar kthimi i atyre mijëra të dëbuarve në shtëpitë dhe pronat e tyre të uzurpuara. Mbi 150 shtëpi janë ndërtuar dhe rindërtuar në katër komunat veriore të Kosovës, vetëm gjatë katër viteve të fundit”, vijon ai.
Albin Kurti thekson se çdo veprim gjatë pesë viteve të fundit i Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës në përgjithësi, duhet lexuar duke e ruajtur në sfond, historinë e ngjarjeve të shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, po aq sa edhe sulmin terrorist në Banjskë me qëllim aneksim territori, më 24 shtator 2023.
“Andaj, sot në 26 vjetorin e fillimit të spastrimit etnik të veriut të qytetit të Mitrovicës nga shteti i Serbisë, i kujtojmë dhe i nderojmë të rënët, i mbështesim të plagosurit dhe të dëbuarit, për drejtësi, për paqe dhe për historinë dhe ardhmërinë e Kosovës. Përgjithmonë”, përmbyll kryeministri./et
