Izraeli i ka dërguar Emirateve të Bashkuara Arabe një sistem të mbrojtjes ajrore “Kupola e Hekurt” dhe disa ushtarë izraelitë, në fillim të luftës me Iranin, sipas informacionit të zbuluar nga media amerikane Axios, e cila citon dy zyrtarë izraelitë dhe një zyrtar amerikan.
Ky dislokim, i mbajtur deri tani sekret, tregon nivelin e paprecedentë të bashkëpunimit ushtarak, të sigurisë dhe të inteligjencës mes Tel Avivit dhe Abu Dhabit që nga nënshkrimi i marrëveshjeve të normalizimit mes dy vendeve në vitin 2020.
Dislokimi i parë jashtë Izraelit
Që nga fillimi i luftës Izrael-Iran, më 28 shkurt, Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një nga objektivat kryesore të sulmeve iraniane në rajonin e Gjirit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, rreth 550 raketa balistike dhe kruz, si dhe mbi 2 200 dronë, janë lëshuar nga Teherani drejt territorit të federatës. Autoritetet thonë se shumica e tyre janë interceptuar, megjithëse disa sulme kanë arritur të godasin objektiva ushtarake dhe civile.
Përballë këtyre sulmeve në shkallë të gjerë, Abu Dhabi kërkoi ndihmën e Izraelit, i cili, me vendim të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i dërgoi një bateri të sistemit “Kupola e Hekurt”, raketa interceptuese dhe disa dhjetëra ushtarë izraelitë për instalimin dhe funksionimin e tij. Sipas burimeve izraelite, ky vendim u mor pas një shkëmbimi të shkruar mes Netanyahut dhe presidentit të Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Siç thekson Axios, kjo është hera e parë që sistemi “Kupola e Hekurt” vendoset në një vend tjetër, pasi më parë është përdorur vetëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
“Nuk do ta harrojmë”
Një nga burimet izraelite thotë se sistemi i vendosur në Emirate ka arritur të interceptojë dhjetëra raketa iraniane. Sipas tij, Forcat Ajrore të Izraelit kanë kryer gjithashtu disa sulme në Iran për të neutralizuar raketa me rreze të shkurtër veprimi para se ato të lëshoheshin drejt Emirateve dhe vendeve të tjera të Gjirit.
Edhe pse dërgimi i ushtarëve izraelitë në territorin e Emirateve mund të jetë i ndjeshëm politikisht në rajon, zyrtarë emiratë theksojnë se lufta me Iranin ka ndryshuar perceptimet dhe se çdo ndihmë për mbrojtjen e vendit shihet pozitivisht nga opinioni publik.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe normalizuan marrëdhëniet në vitin 2020 në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Pavarësisht dallimeve, veçanërisht për çështjen palestineze pas luftës në Gaza dhe zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor, bashkëpunimi mes tyre ka vazhduar të forcohet dhe, sipas zyrtarëve të të dy vendeve, “nuk ka qenë kurrë më i ngushtë”.
Në një shkrim për Arab Gulf States Institute, ish-zyrtari emirat Tarek al-Otaiba ka vlerësuar mbështetjen e Izraelit dhe SHBA-ve, duke e quajtur atë “ndihmë të vërtetë”, të bazuar në asistencë ushtarake, shkëmbim informacioni dhe mbështetje diplomatike. “Nuk do ta harrojmë. Ka qenë një zbulim i rëndësishëm dhe na ka treguar kush janë miqtë tanë të vërtetë”, ka deklaruar ai./mxh
