Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Vendimi i qeverisë për miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar për pensionet me 6.4% do të prekë drejtpërdrejt të gjithë qytetarët që kanë dalë ose do të dalin në pension nga 1 janari 2026 e në vijim. Ky koeficient do të përdoret për përllogaritjen e pensionit fillestar, duke reflektuar rivlerësimin e kontributeve të paguara ndër vite.
Në thelb, bëhet fjalë për një mekanizëm që rrit bazën mbi të cilën llogaritet pensioni, por efekti final ndryshon nga individi në individ, në varësi të historikut të kontributeve dhe nivelit të pagave.
“Shpjegon çfarë do të thotë konkretisht 6.4% dhe si përkthehet në rritje reale pensioni, pra që është një koeficient që merr për bazë kontributet ndër vite dhe inflacionin përgjatë periudhës kontributive, duke rritur masën e pensionit për ta bërë më dinjitoz për kohën në të cilën jetojmë”, thotë eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha.
Për ta bërë më konkrete, një person që ka dalë në pension këtë vit merr një pagesë prej 20 mijë lekësh; me vendimin e ri, pra me indeksimin 6.4%, do të marrë rreth 21 mijë e 200 lekë. Vendimi parashikon edhe kufizime. Për periudhën para vitit 2002, baza nuk mund të kalojë trefishin e pagës minimale, ndërsa për vitet pas 2002 aplikohet tavani i pagës maksimale.
“Shqetësim mbetet çështja e barazisë mes brezave, pasi mënyra e indeksimit dhe referencat e përdorura mund të krijojnë diferenca mes atyre që dalin sot në pension dhe atyre që kanë dalë më herët. Këto kufij synojnë të ruajnë ekuilibrat në skemë, por në të njëjtën kohë mund të frenojnë përfitimet për ata me paga më të larta”, shprehet Hoxha.
Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore dhe aplikohen vetëm për pensionet e reja. Në një kohë kur presionet mbi skemën e pensioneve janë në rritje, indeksimi mbetet një instrument kyç për të balancuar interesat e përfituesve me qëndrueshmërinë e sistemit./mxh
