“Me sjelljen e një skllavi pa dinjitet, Berisha u përpoq ta shiste si mbrojtje të Familjes Trump, por shumë shpejt doli e vërteta: sheshi i protestës nuk është as kundër Familjes Trump dhe as kundër investimeve të huaja. Ai është drejtpërdrejt kundër Ramës dhe Berishës”, thotë ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Në një intervistë për Tema, ai flet për protestën dhe raportin e opozitës me këtë aktivizim qytetar. Për Alibeajn, thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” është mesazhi më kuptimplotë i kësaj lëvizjeje dhe slogani që brohoritet me më shumë entuziazëm nga sheshi i mbushur me protestues. Megjithatë, thotë ai, Berisha gjen kurajën dhe del një ditë të bukur për të deklaruar mbështetje për protestën.
Sipas Alibeajt, kjo protestë i ka marrë Berishës trofeun e fundit që i kishte mbetur: sheshin. “Imagjinoni pas këtij mobilizimi mbarëqytetar kundër dyshes Rama-Berisha. A do të mundet Berisha të organizojë më foltoret apo protestat e tij? Ky është problemi i madh për të, sepse ka humbur të vetmin trofe që i kishte mbetur, protestën”, shprehet ai.
Ish-deputeti demokrat ndalet edhe te zhvillimet e fundit në kampin opozitar, ku një deputete e re si Marjana Koçeku ka guxuar t’i dalë përballë partisë së saj dhe të qëndrojë në krah të protestës. Ai flet për kërcënimet e botës së krimit ndaj saj, por edhe për domosdoshmërinë që SPAK të nisë hetimet edhe në mungesë të një kallëzimi formal nga deputetja.
Alibeaj flet me trishtim për një “neomalësor/e” të munguar në anën tjetër, Partinë Demokratike. Duke ritheksuar se në oborrin e Berishës nuk mund të mbijë asnjë filiz politik, ai argumenton se PD ka mbetur pronë e një individi dhe se protesta qytetare e ka nxjerrë plotësisht jashtë loje.
Alibeaj ndalet edhe te statusi “non grata” i Berishës dhe familjes së tij. Në festën e Pavarësisë, organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, mungesa e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, sipas tij, është një tregues se situata nuk ka ndryshuar. “Non grata e tij dhe e familjes vazhdon të jetë e varur në murin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Një leje për të shkuar në SHBA nuk do të thotë se nuk je më i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Alibeaj.
Në intervistë ai flet gjithashtu për etiketimet politike që i janë bërë ndër vite, nga akuzat se ka dëmtuar demokracinë deri te pretendimet për korrupsion ndaj tij dhe familjarëve të tij./ad
