Ilir Alimehmeti është një prej figurave kryesore të PD, i cili nuk e ka fshehur mendimin se Partia Demokratike duhet të ndryshojë për të fituar zgjedhjet dhe për t’u rikthyer në pushtet.
Në një intervistë për Vizion Plus, Alimehmeti shpjegon se takimi i pak ditëve më parë mes tij, Ervin Salianjit dhe disa prej kandidatëve demokratë, që pavarësisht se morën vota nuk arritën të zgjidhen deputetë, synon pikërisht skicimin e rrugës ku duhet të ecë forca më e madhe e opozitës. Sipas Alimehmetit, i cili në 11 maj fitoi 18 mijë vota, ky takim erdhi për shkak se disa prej forumeve të PD, siç është Këshilli Kombëtar, nuk është mbledhur asnjëherë pas humbjes së zgjedhjeve.
“Është një takim ndërmjet demokratësh, ndërmjet njerëzve që dëshirojnë që Partia Demokratike të fuqizohet, të forcohet, të arrijë që këtë qeveri që është e kalbur nga koka tek këmbët ta hedhë një orë e më parë dhe mbi mënyrën si shkohet aty. Duke qenë se asnjë forum i PD nuk na ka thirrur, të paktën në dijeninë time, për të diskutuar mbi këto çështje, pra mbi sfidat që kemi pasur në përballjen që kemi pasur në 11 maj, mbi ecurinë që mendohet mbrapa e me radhë; atëherë diskutuam njëri me tjetrin mbi problematikat e ndryshme, mbi mendimet e çfarë propozimesh mund të japim ne, dhe një pjesë e propozimeve do t’i dërgohen kryesisë së PD.” M.P.
