Last Updated on 05/12/2025 by Kesjana
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, në një intervistë për RTSH24, foli mbi lëvizjen e re politike që po ndërmarrin disa figura të PD-së, e cila nga disa brenda selisë blu është interpretuar si “foltorja paralele”.
Alimehmeti sqaroi se iniciativa nuk është tentativë për fraksion apo lëvizje kundër kryetarit të PD-së, por një përpjekje për të energjizuar një pjesë të demokratëve që, sipas tij, nuk ndihen të përfaqësuar.
“Absolutisht nuk mbështes përçarjen. E di shumë mirë se ku ka shkuar PD-ja. Në prill të vitit 2022 kam qenë pjesë e Rithemelimit të drejtuar nga z. Berisha, që atëherë prodhoi frymë të re, hapje dhe meritokraci, gjë që çoi te protesta e 7 korrikut. Por rrugës pati situata kur ato premtime nuk u realizuan mjaftueshëm”, u shpreh ai.
Alimehmeti theksoi se mungesa e meritokracisë ka krijuar ftohje te demokratët dhe se është e domosdoshme “ringjallja” e strukturave. Ai shtoi se momenti aktual lidhet me përfundimin e proceseve zgjedhore dhe publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, i cili, sipas tij, foli qartë për garë të pabarabartë dhe fenomenin e asaj që ai e cilësoi si “parti-shtet”.
“Pse në këtë moment? Sepse pas 11 majit, ne u morëm gjithë kohës me pjesën e garës elektorale deri sa doli raporti i OSBE/ODIHR.
Që foli shumë qartë për garë të pabarabartë dhe partinë shtet që ne kishim përballë. Më pas kishim dhe një fushatë të vogël të pjesshme, Tirana nuk u bë dot, por ishin 5 bashki të tjera fushatë deri në nëntor. Prisnim protesta të fuqishme për situatën Balluku. Nga ky aspekt priteshin reagime më të forta”, tha ai.
Duke folur për qëndrimin e tij brenda PD-së, ai nënvizoi se nuk kanë marrë autorizim zyrtar nga Këshilli Kombëtar, por ndihen të detyruar të reagojnë.
“Nuk kemi marrë autorizim zyrtar nga Këshilli Kombëtar i PD. Ne shohim problematikën dhe s’mund të rrimë pa bërë gjë./kb
