Amal Clooney ka folur hapur për ndikimin që martesa me aktorin George Clooney pati në jetën e saj, duke pranuar se fama e bashkëshortit e ekspozoi në një nivel krejtësisht të ri dhe e bëri shumë më të vështirë ruajtjen e jetës private.
Avokatja e njohur për të drejtat e njeriut ndau reflektimet e saj gjatë aktivitetit Cartier Dialogues, të zhvilluar në Bangkok, ku tregoi se përpara martesës kishte kontroll të plotë mbi mënyrën se si dhe kur shfaqej në publik.
“Dikur vendosja vetë sa e ekspozuar do të isha. Pas martesës, kjo ndryshoi ndjeshëm,” u shpreh ajo, duke shtuar se ishte një realitet i ri me të cilin iu desh të mësohej.
Sipas Amal, më parë jeta profesionale dhe ajo personale ishin dy botë të ndara, ndërsa pas lidhjes me George Clooney ato nisën të ndërthureshin në mënyrë të pashmangshme.
Ajo kujtoi se në fillim ndihej nën presion për mënyrën se si paraqitej në publik, duke menduar se çdo zgjedhje e saj mund të ndikonte në perceptimin profesional.
“Shpesh mendoja nëse duhej të vishja një fustan të caktuar apo të merrja pjesë në një event, sepse pas pak ditësh do të isha në sallën e gjyqit. Më vonë kuptova se gjëja më e rëndësishme është të jesh vetvetja,” tha ajo.
Amal theksoi se reputacioni ndërtohet nga puna dhe përkushtimi, jo nga vëmendja mediatike.
“Nëse e bën mirë punën tënde, kjo është ajo që mbetet,” u shpreh avokatja.
Pavarësisht famës që shoqëron familjen e tyre, ajo tha se nuk ka lejuar kurrë që ekspozimi publik të ndikojë në prioritetet e saj, duke vendosur gjithmonë familjen dhe karrierën në plan të parë.
Amal dhe George Clooney kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në vitin 2014 në Itali. Ata janë prindër të binjakëve Ella dhe Alexander.
Nga ana e tij, George Clooney ka deklaruar në disa intervista se gjatë më shumë se një dekade martesë, ai dhe Amal nuk kanë pasur asnjëherë një konflikt serioz. Edhe Amal ka vënë shpesh në dukje mbështetjen që merr nga bashkëshorti, duke theksuar se ai e ka inkurajuar gjithmonë të ndjekë ambiciet e saj profesionale pa u ndier e kufizuar./mxh
