Last Updated on 03/07/2025 by adminfjala
Nga Jacob Dreyer*
Dikur, shumë amerikanë besonin se Kina do të bëhej në mënyrë të pashmangshme më shumë si ne, vetëm nga fakti që po futej në rendin tregtar global që vetë SHBA e kishte ndërtuar dhe ndoshta, siç sugjeroi dikur presidenti Bill Clinton, do të demokratizohej. Dukej sikur fitorja përfundimtare e neoliberalizmit të udhëhequr nga Amerika ishte afër.
Clinton dhe të ngjashmit me të nuk kishin krejtësisht gabim. Për dekada, Kina ka ndjekur me kujdes shumë elementë të modelit amerikan: sipërmarrjen, konsumizmin dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare. Kjo e bëri Kinën një fuqi industriale, me një klasë të mesme të madhe, shkencë dhe teknologji të avancuar, dhe marka globale si Huawei, Lenovo dhe Alibaba. Popullsia 1.4 miliardëshe e Kinës jeton sot me një stil jete shumë më të larmishëm dhe të begatë se më parë. Në gjithë këtë rrugëtim, modeli ishte Amerika.
Ajo që as amerikanët dhe as kinezët nuk kishin parashikuar, ishte se sa shumë kjo rrugë do të bëhej me dy kahje.
Në këtë garë idesh dhe ndikimi mes dy vendeve, duket se penduli po kthehet prapa. Rikthimi i Donald Trumpit në pushtet e ka bërë të qartë se, në shumë aspekte – erosioni demokratik, fiksimi me kufijtë e fortë, kufizimi i fjalës së lirë dhe të tjera – Amerika po fillon të duket pak më shumë si Kina.
Unë kam jetuar në Shanghai që nga viti 2008 dhe kam parë nga afër ngritjen e Kinës. Ka shumë gjëra nga të cilat Amerika mund të mësojë prej Kinës. Por ndoshta mësimi më i rëndësishëm është ky: të qëndrojmë besnikë ndaj asaj që jemi si komb.
Kina e ka bërë këtë: ka adoptuar aspekte të modelit amerikan që e kanë forcuar, por njëkohësisht ka ruajtur sistemin e saj politik thelbësor – dominimin e Partisë Komuniste dhe ndërhyrjen e thellë të shtetit në çdo aspekt. Dhe rezultati ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm.
*Jacob Dreyer është redaktor dhe shkrimtar amerikan që jeton në Shanghai
Burimi: New York Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi