Last Updated on 23/04/2026 by EL
Nga Fejzo Subashi
Kur do ta kuptojmë se nuk jemi thjesht banorë të këtij vendi, por qytetarë dhe shtetas me të drejta dhe detyrime? Sepse këtu nis keqkuptimi ynë më i madh, ku ngatërrojmë qenien shtetas me qenien qytetar. Shtetas je me dokument. Qytetar bëhesh duke vepruar me kulturë, me qasje dhe sjellje të kulturuar dhe të duhur, me kontribut, me atë që jep dhe jo vetëm me atë që kërkon, apo të japin. Dhe pikërisht këto veprime, kjo qasje dhe kjo kulturë na mungon. Ne dimë të kërkojmë të drejtat tona, absolutisht që bëjmë mirë. Por shumë më pak dimë të përmbushim detyrimet tona, ndaj shoqërisë, ndaj komunitetit, njeri tjetrit dhe sidomos ndaj vendit. Dhe akoma më pak dimë të reagojmë, kur këto detyrime shkelen nga të tjerët. Sepse reagimi nuk është thjesht akt personal. Reagimi është akt qytetar. Një rrugë pa drita, apo një fshat pa energjinë e duhur, nuk është vetëm problem i atij fshati është problem i një shoqërie, apo një komuniteti që nuk reagon. Një abuzim me pronën publike nuk është thjesht shkelje ligji është cenim i të drejtës së secilit prej nesh. Dhe megjithatë, ne shpesh zgjedhim të heshtim. Madje edhe kur na prek drejtpërdrejt. Edhe kur dëmtohemi vetë. Kjo nuk është durim. Kjo është mungesë kulture qytetare. Dhe akoma më pak dimë të reagojmë, kur këto detyrime shkelen nga të tjerët. Sepse reagimi nuk është thjesht akt personal. Sepse një qytetar nuk është ai që vetëm nuk shkel ligjin për vete. Është ai që nuk toleron shkeljen e ligjit nga askush. Nuk mund të kërkosh respekt për të drejtat e tua, nëse nuk respekton detyrimet që ke ndaj të tjerëve. Nuk mund të kërkosh shtet funksional, nëse nuk sillesh si pjesë e tij. Nuk mund të kërkosh drejtësi, nëse hesht përballë padrejtësisë. Sepse heshtja nuk është neutralitet. Është zgjedhje. Dhe çdo zgjedhje për të mos reaguar, është një hap më shumë drejt normalizimit të së keqes. Prandaj problemi ynë nuk është vetëm tek institucionet që shpesh nuk funksionojnë siç duhet. Problemi është edhe tek ne, që nuk i kërkojmë, nuk i kontrollojmë dhe nuk reagojmë kur ato dështojnë. Sepse një shoqëri nuk ndërtohet vetëm me ligje. Ndërtohet me njerëz që i mbrojnë ato. Dhe pa këtë ndërgjegje, pa këtë kulturë qytetare, çdo pretendim për zhvillim, drejtësi apo dëshirës për tu bërë pjesë e familjes së madhe Evropiane mbetet bosh. Sepse në fund, të fundit nuk është thjesht dhe vetëm çështje sistemi, por së pari është çështje qytetarie. Një shoqëri, një vend që kërkon të behet evropian, absolutisht që filozofin e luftës së tij është dhe duhet të nisi nga e drejta tek detyrimi, aty ku fillon dhe duhet të filloj qytetaria. Pa detyrime nuk ka të drejta dhe pa përgjegjësi nuk ka qytetari. Kur kërkojmë të drejta dhe harrojmë detyrimet, nuk kemi kërkuar as gjë dhe kemi humbur gjithçka. E drejta kërkohet, detyrimi përmbushet, kjo nuk është thjesht filozofike, por veprimtari e domosdoshme jetike. Të drejtat nuk janë, aq më pak ti perceptojmë dhe ti kuptojmë si privilegj, ato janë përgjegjësi. Qytetaria nuk është kërkesë, është detyrim. Mes të drejtës dhe detyrimit qëndron prova e madhe e vërtetë e qytetarit. Kur marrim iniciativa dhe bëjmë gjithçka dhe kërkojmë gjithçka, por në realitet japim pak, kjo është kriza e përgjegjësisë qytetare.
Është parim i ekzistencës, ku të drejtat nuk mbijetojnë pa detyrime
Tiranë më 23.04.2026
