Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Projekti i ri i Milanit ka nevojë për kohë dhe, të paktën për momentin, trajneri portugez Ruben Amorim është i sigurt në pankinën kuqezi. Tashmë është kthyer në një rutinë të zakonshme në shtëpinë e “Djallit” që pronari Gerry Cardinale dhe tekniku të kenë komunikime të vazhdueshme, qoftë ballë për ballë apo në distancë, pas çdo ndeshjeje të luajtur.
Gjatë këtyre bisedave analizohet me detaje ajo që ka funksionuar, aspektet negative, zgjedhjet taktike, si dhe humori i përgjithshëm i futbollistëve dhe ambientit.
Megjithatë, pas barazimit të fundit që skuadra regjistroi kundër Sassuolos, u raportua për një pakënaqësi të theksuar nga ana e Kardinales.
Kjo situatë bëri që në qendër të kritikave të përfundonte jo vetëm trajneri, por edhe disa prej futbollistëve. Nga Italia, u raportua se pozita e trajnerit ishte seriozisht në rrezik dhe se mund të kishte një shkarkim të mundshëm pas rezultateve jo bindëse.
Pavarësisht këtyre thashethemeve, e vërteta e konfirmuar së fundmi tregon një tjetër realitet. Ruben Amorim vazhdon të gëzojë besimin e plotë dhe mbështetjen maksimale të Cardinales dhe të gjithë kupolës drejtuese të klubit.
Pronarët e Milanit janë të angazhuar për t’i garantuar portugezit mbështetjen e nevojshme për të ndërtuar një rrugëtim fitues, duke qenë të vetëdijshëm se ky proces kërkon domosdoshmërisht kohë dhe një unitet të plotë qëllimesh nga i gjithë stafi.
Gjithsesi, trendi aktual i lojës duhet të ndryshojë me patjetër. Edhe pse Milani arrin të fitojë ose të barazojë, skuadra ende nuk e ka gjetur identitetin e saj të vërtetë në fushë. Paraqitjet më bindëse të këtij sezoni mbeten ajo e ndeshjes së parë kundër Torinos apo miqësorja e verës përballë Mançester Junajtid. Për këtë arsye, fusha e lojës duhet të japë përgjigje të shpejta./mxh
