Last Updated on 06/10/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Në debatin publik, veçanërisht në panelet televizive, ekziston një paradoks i madh. Këto hapësira shpesh popullohen nga persona të quajtur “analistë”, të cilët, megjithëse mblidhen çdo natë për biseda, rrallëherë ofrojnë ndonjë verdikt apo parashikim që koha e vërteton si të saktë.
Këta analistë të kujtojnë një meteorolog, i cili, pasi parashikon shiun dhe ai nuk bie, shpjegon arsyet pse nuk ra. E njëjta gjë vlen për ata që pretendojnë se bëjnë analiza politike: ata zakonisht arsyetojnë rreth fakteve të konsumuara (si gjendja e PD-së) dhe i pranojnë ato, në vend që të kenë parashikuar rrjedhën. Për t’u marrë me analiza, duhet të kuptosh ndikimin dhe sensin e faktorëve të ndryshëm, si dhe rezultatin që ata përgatisin.
Tashmë është e qartë, ose e “shkruar në ballë”, që Partia Demokratike (PD) është një forcë politike në dekompozim — apo “drejt mplakjes e drejt mpakjes”, siç e përdorte dikur këtë shprehje një kolegu tim të dikurshëm kur i referohej PS-së.
Fakti që PD do të arrinte në këtë gjendje ishte i qartë që në momentin kur Sali Berisha ruajti kontrollin e partisë nëpërmjet Lulëzim Bashës. Berisha ishte i bindur se vazhdimësia e tij direkte nuk do të sillte më rezultatin që dëshironte. Ndaj bëri këtë lëvizje me shpresën se do t’i mashtronte njerëzit, duke nxitur perceptimin se PD ishte reformuar realisht, pavarësisht se asnjë shenjë tjetër nuk e mbështeste këtë pretendim.
Nuk ishin të paktë ata që ranë borive të alarmit, duke theksuar se kjo sjellje po rrezikon të bjerë dhe dobësojë opozitën, duke e lënë vendin pa një opozitë konkuruese.
Dhe ja ku jemi sot, pas 12 vitesh. PD-ja jo vetëm që nuk përfaqëson një opozitë konkurruese, por nuk gjen dot as një kandidat të përshtatshëm për kryetar të bashkisë më të madhe të vendit, duke e banalizuar situatën zgjedhore e duke ia besuar garën një humoristi.
