India, vendi më i populluar në botë me rreth 1.4 miliardë banorë, vazhdon të mbetet larg skenës më të madhe të futbollit botëror. Ndërsa Kupa e Botës po zhvillohet me pjesëmarrjen e vendeve nga të gjitha kontinentet, tifozët indianë edhe një herë janë të detyruar ta ndjekin turneun vetëm si spektatorë.
Kombëtarja Indiane e Futbollit nuk ka arritur asnjëherë të kualifikohet në fazën finale të Kupës së Botës, duke u eliminuar vazhdimisht në raundet paraprake të kualifikueseve aziatike.
Paradoksi është se futbolli gëzon popullaritet të madh në disa rajone të Indisë, veçanërisht në Bengalin Perëndimor, Kerala dhe Goa, ku atmosfera gjatë Kupës së Botës shpesh krahasohet me atë të vendeve pjesëmarrëse. Megjithatë, pasioni i tifozëve nuk është shoqëruar me sukses në nivel kombëtar.
Ish-kapiteni legjendar i Indisë, Baichung Bhutia, beson se pjesëmarrja në Kupën e Botës është e mundur, por kërkon punë të gjatë dhe të organizuar. Sipas tij, problemi nuk qëndron te mungesa e talentit, por te mungesa e një sistemi të mirëfilltë zhvillimi. Ai thekson se India nuk ka një program serioz bazë për zhvillimin e futbollit te fëmijët dhe të rinjtë, gjë që pengon krijimin e brezave konkurrues në të ardhmen.
Një mendim të ngjashëm ndan edhe ish-sulmuesi Shyam Thapa, një nga figurat më të njohura të futbollit indian. Ai shprehet se gjithnjë e më shumë familje indiane po i orientojnë fëmijët drejt kriketit, sportit më të popullarizuar në vend, për shkak të fitimeve të mëdha që ofron liga profesionale IPL. Sipas tij, futbolli ka mbetur në plan të dytë dhe nuk po tërheq numrin e nevojshëm të talenteve të reja.
Sfida bëhet edhe më e qartë kur krahasohet India me ekipet aziatike që kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Australia, Japonia, Koreja e Jugut, Irani, Arabia Saudite, Katari, Jordania, Uzbekistani dhe Iraku kanë arritur të sigurojnë vendin e tyre në turne. Jordania dhe Uzbekistani po marrin pjesë për herë të parë, por të dyja kombëtaret renditen shumë më lart se India në klasifikimin botëror të FIFA-s. Uzbekistani ndodhet në vendin e 52-të, Jordania në të 63-in, ndërsa India ka rënë në vendin e 136-të.
Në vitin 2022, presidenti i Federatës Indiane të Futbollit, Kalyan Chaubey, prezantoi projektin ambicioz “Vision 2047”, i cili synonte të përfshinte 35 milionë fëmijë në futboll dhe të ngrinte nivelin e sportit në vend. Megjithatë, shumë kritikë mendojnë se rezultatet konkrete kanë munguar dhe se Federata nuk ka arritur të realizojë premtimet e saj.
Një tjetër problem është paqëndrueshmëria e kampionatit profesionist Indian Super League (ISL). Liga, e krijuar me shumë bujë në vitin 2014, tërhoqi investitorë të mëdhenj dhe emra të njohur nga futbolli botëror. Por vitet e fundit, është përballur me vështirësi financiare dhe organizative, duke krijuar pasiguri për klubet dhe lojtarët.
Për momentin, objektivi më realist për Indinë mbetet kualifikimi i rregullt në Kupën e Azisë, turneu më i rëndësishëm kontinental. Ish-kapiteni Sunil Chhetri ka deklaruar se vendi duhet të përqendrohet fillimisht te hyrja mes 15 ose 20 kombëtareve më të mira të Azisë. Vetëm pasi të arrijë këtë nivel, India mund të mendojë seriozisht për një kualifikim historik në Kupën e Botës.
Federata po përpiqet gjithashtu të ndryshojë rregullat për të lejuar shtetasit me origjinë indiane që jetojnë jashtë vendit të luajnë për Kombëtaren, pa hequr dorë nga shtetësia e tyre aktuale. Nëse kjo politikë miratohet, India mund të përfitojë nga një numër futbollistësh të talentuar që aktualisht përfaqësojnë vende të tjera.
Megjithatë, deri sa të ndërtohet një sistem i fortë i zhvillimit të futbollit, të investohet seriozisht në akademi dhe të rritet konkurrenca në nivel kombëtar, pjesëmarrja e Indisë në Kupën e Botës mbetet një objektiv i largët. Ndërsa vende shumë më të vogla kanë arritur të realizojnë ëndrrën botërore, tifozët indianë vazhdojnë të shtrojnë të njëjtën pyetje: nëse kombet e vogla munden, pse jo India?/mxh
