Analisti Andi Bushati ka komentuar situatën politike në vend dhe protestat e ditëve të fundit, duke e krahasuar sjelljen e kryeministrit Edi Rama me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë vitit 1997.
Sipas Bushatit, Rama nuk rrezikon të largohet nga pushteti, pasi, sipas tij, e lidh këtë vendim me pasojat që mund të përballet në aspektin e drejtësisë. Ai pretendon se kryeministri është i gatshëm ta çojë situatën drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm, në vend që të heqë dorë nga pushteti.
“Jo, nuk rrezikon. Meqë Rama e di që, po e la karrigen, përfundon në burg. Ai është i prirur ta çojë vendin drejt luftës civile dhe të mos e lërë pushtetin. Rama ka të njëjtin skenar si Berisha në ’97. Me tre kosha të djegur dhe dy semaforë të djegur, Rama nuk rrezikohet”, tha Bushati.
Nga ana tjetër, Petro Koçi vlerësoi se kryeministri ndodhet në një pozitë të vështirë dhe duhet të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh politike, pas protestave të ditëve të fundit dhe kërkesave të protestuesve për largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë./ad
