Anthony Fauci, mjeku dhe imunologu që udhëhoqi përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj pandemisë së Covid-19, refuzoi sot t’u përgjigjej pyetjeve të reja para një komisioni të Senatit amerikan, i cili po heton origjinën e pandemisë dhe mënyrën se si u menaxhua ajo.
Fauci deklaroi se, me këshillën e avokatëve të tij, do të përdorte të drejtën kushtetuese të garantuar nga Amendamenti i Pestë, që i lejon një personi të mos japë dëshmi që mund ta vetinkriminojnë.
Ai akuzoi senatorin republikan Rand Paul, kryetar i komisionit, për një “obsesion të dukshëm” për ta ndjekur penalisht.
Në deklaratën e tij, Fauci theksoi se pas pandemisë kishte dëshmuar disa herë, nën betim, para Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke iu përgjigjur pyetjeve për të njëjtat tema.
Sipas tij, thirrja e re në komision kishte për qëllim ta shtynte të bënte një deklaratë që mund të përdorej kundër tij në të ardhmen.
Seanca, e cila zgjati rreth tre orë, u shoqërua me përplasje politike.
Senatorët demokratë kritikuan ashpër mënyrën se si po zhvillohej hetimi, duke e cilësuar atë si një “kryqëzatë politike” kundër Faucit.
Senatorja Maggie Hassan tha se qëllimi i dëgjimit dukej të ishte vendosja e ish-këshilltarit në një situatë ku mund të “binte në grackë”.
Nga ana tjetër, Rand Paul vazhdon prej vitesh të akuzojë Faucin se ka mashtruar Kongresin për çështje që lidhen me pandeminë.
Ditët e fundit ai publikoi pjesë nga ditari privat i Faucit, duke pretenduar se ato bien ndesh me disa nga deklaratat që ish-zyrtari kishte bërë më parë./mxh
