Ish-deputeti socialist Arben Malaj ka bërë të ditur se do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e ardhshme vendore për kryetar Bashkie në Vlorë.
Njoftimin ai e dha mbrëmjen e 21 prillit gjatë një interviste në emisionin “Studio24” në News24, ku sqaroi se vendimi është marrë tashmë, pavarësisht sfidave që lidhen me kuadrin ligjor për financimin e fushatave elektorale.
Malaj shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për zhvillimet politike në vend, duke iu referuar ndikimit të binomit politik Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët sipas tij mund të cenojnë procesin zgjedhor vendor.
Ai deklaroi: “Mendoj se do ketë një arkivol të dytë për demokracinë shqiptare dhe ai do jetë për zgjedhjet vendore. Qëllimi i tyre është shtypja e partive të vogla dhe jo ndihma ndaj tyre, kështu që unë dyshoj, na duhet më shumë ndërgjegjësim.”
Sipas tij, këto zhvillime lidhen me mënyrën se si po formësohet sistemi zgjedhor dhe rrezikun për partitë e vogla apo kandidatët e pavarur.
Malaj theksoi se kandidimi i tij vjen si detyrim moral ndaj qytetit të Vlorës, ku ai ka një histori të gjatë angazhimi politik. Ai kujtoi garat e mëparshme dhe funksionet e mbajtura ndër vite:
“Po, unë e kam vendosur, do të kandidoj si i pavarur. Po s’e gjeta vendin te financimi i partive politike dhe kodi zgjedhor, por e kam detyrim mirënjohës për popullin e Vlorës, kam kandiduar më 1992 dhe më 1996, si dhe më 2013 si i pavarur”.
Duke iu referuar kandidimit të tij në vitin 2013, Malaj shtoi: “Gjithë përvojën dhe njohuritë e mia nuk do t’i mbaj për vete, por do t’i vë në shërbim të qytetit,”
Ai nënvizoi se atëherë kishte marrë 3670 vota, sipas tij më shumë se disa parti politike. Ai e përmbylli deklaratën duke theksuar se kandidimi i tij synon të jetë një kontribut i drejtpërdrejtë për zhvillimin e Vlorës dhe një formë shërbimi ndaj qytetit që, sipas tij, i ka dhënë shumë gjatë karrierës së tij politike.
