Ish-ministri i Financave, Arben Malaj tha sot se zgjedhjet parlamentare në Hungari nuk janë thjesht një proces i shoqëruar me ndryshime për këtë vend, por një zhvillim me ndikime të njëjta edhe në shtete të tjera të Europës.
Malaj tha për “A2 CNN” se vendet e radhës që mund të pësojnë ndryshime politike janë Çekia dhe Sllovakia.
Sipas Malajt, humbja e Viktor Orbàn dhe fitorja e Peter Magyar përbën një ngjarje që mund të konsiderohet si fitore për Bashkimin Europian.
“Sfida më e madhe ishte që këto nuk ishin thjesht zgjedhje për Hungarinë. Patjetër që kishin shumë rëndësi për atë vend, për ta orientuar nga një vend kundër vendimeve gjeostrategjike, gjeopolitike të BE-së, në një vend mbështetës të sfidave të BE-së. Dhe besoj që dominoja tjetër do të përfshijë Çekinë dhe Sllovakinë. Tjetra që duhet të mësojmë është që votën e vendos populli. Nuk e vendosin ata që bëjnë tifozllëk të krahut politik të njërit apo të tjetrit. Ishte vetë zv/presidenti amerikan që u angazhua për të mbështetur të djathtën ekstreme. Nuk pati asnjë influencë. Kështu që, në këtë aspekt është fitore për popullin hungarez, është fitore për BE-në, sepse BE-ja nuk mund të eci me këtë sistem ku një pjesë e liderëve të saj bëjnë lëvizje gjeopolitike kundër vetë BE-së. Dhe të mos harrojmë që është një nga përfituesit kryesorë të fondeve të BE-së”,-u shpreh Malaj./mxh
